DURRËS, 5 qershor 2013 – Dita Botërore e Mjedisit nuk ka rregjistruar asnjë aktivitet ndërgjegjësues në Durrës, ndërsa mjedisorët kanë pezulluar aktivitetin e dy subjekteve private për mospërmbushje standartesh dhe ndotje mjedisore.
Agjencia Rajonale Mjedisore e kontaktuar nga “DYRRAH” pohon se për shkak të angazhimeve të tjera që kanë institucionet vendore dhe qendrore në Durrës takimet apo veprimtaritë në kuadër të kësaj dite kanë munguar.
Drejtori i ARM-së në Durrës, Ramazan Kalia thotë se ndërkohë tre grupe të inspektorëve të kësaj agjencie po punojnë në terren për konstatimin e situatës mjedisore.
Sipas tij, puna e inspektorëve të mjedisit është fokusuar në zonat turistike të qarkut të Durrësit, konkretisht në plazhin e madh të Durrësit, atë të Gjirit të Lalëzit, në Fushë-Krujë dhe Krujë.
Vëzhgimi në terren i ndotjes mjedisore që i shkaktohet Durrësit dhe Krujës nga keqadministrimi i mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza, si dhe veprimtaria abuzive e subjekteve private ka marrë dhe reagimin administrativ të këtij organi. Dy subjekte janë gjobitur nga autoriteti mjedisor për ndotjen e shkaktuar në ambjentet publike.
Sipas drejtorit Kalia, disa ditë më parë është gjobitur në vlerën e 2 milion lekëve, si dhe i është pezulluar aktiviteti një subjekti që ushtronte aktivitetin për shkrirjen e baterive në zonën e Shkozetit. Një ditë më parë, kjo agjenci ka pezulluar punën edhe në Fabrikën e Përpunimit të Kartonit në Spitallë, deri në plotësimin e standarteve.
Sipas Kalias, dy subjektet shkaktonin ndotje masive në ajër dhe në ujërat e rrjedhshëm, duke rrezikuar shëndetin e popullatës në zonat ku ushtrojnë aktivitetin dhe më gjerë. Përsa i përket subjekteve në zonat turistike apo njësive vendore, Kalia sqaron se përgjatë këtij muaji janë bërë paralajmërimet e duhura për ndërhyrje në zonat problematike të cilat paraqesin ndotje si pasojë e mbetjeve urbane dhe atyre të ngurta.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





