DURRËS, 5 qershor 2013 – Në orët e para të mëngjesit të sotëm policia e Durrësit ka vënë në pranga nën akuzën e “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”, parashikuar nga neni 189 i Kodit Penal, shtetasin kosovar Gazmend Kuçi, 31 vjeç, banues ne qytetin e Suharekes Kosovë, me shtetesi kosovare.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi me datë 04.06.2013, rreth orës 22:30, në Terminalin e Përpunimit të Pasagjerëve Porti Detar Durrës ka paraqitur para punonjësve të Policisë Kufitare dokumenta, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara, e konkretisht një leje qëndrimi zviceriane që dyshohet tërësisht e falsifikuar.
Shtetasi në fjalë synonte të udhëtonte në drejtim të Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës – Bari.
Nga ana e policisë së Durrësit u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i dokumentit në fjalë, i cili do t’i nënshtrohet ekzaminimit, gjithashtu u kryen dhe veprime të tjera proceduriale.
Materialet e mbledhura nga ana e policisë iu përcollën për ndjekje Prokurorisë së Rrethit.





