Eduard Halimi: Do garantojmë zbatimin e ligjit për teatrin, dimension i ri jetës kulturore në qytet dhe nxitje për talentet e reja
DURRES, 4 qershor 2013 – Kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në Durrës, Eduard Halimi, Igli Cara, Oerd Bylykbashi, Zamir Ramadani, Kseanela Myderrizi dhe Arian Dedej, kanë zhvilluar një takim të veçantë me artistët e qytetit. Rreth 80 figura të njohura të fushave të ndryshme, si: teatri, artet pamore dhe muzika, janë bërë pjesë e mbrëmjes, e cila ishte konceptuar si “një gotë verë me artistët”.
Gjatë përshëndetjes së tij, ministri Eduard Halimi, njëherazi kandidat për deputet në Durrës, falenderoi artistët durrsakë për praninë e tyre dhe ju premtoi atyre se vëmendja ndaj artit do të ishtë më e madhe. Ai i cilësoi artistët si krenaria e qytetit, pasi janë ata të cilët në evenimente të ndryshme bëhen përfaqësuesit më të denjë. Kandidati Eduard Halimi u ndal edhe te ligji për teatrin, sipas të cilit 30 përqind e grantit që caktohet duhet të shkojë për kulturën dhe duhet të shfrytëzohen nga teatrot lokale. Ai garantoi se do të behej gjithçka për zbatimin me përpikmëri të këtij ligji.
“Do të bëjmë ç’është e mundur për të ridimensionuar jetën kulturore në Durrës, sepe ky qytet jo vetëm ka qenë djep i kulturës, por edhe ka nxjerrë emra me kontribut të vyer në fushën e artit, brenda dhe jashtë vendit. Bashkë edhe me deputetët e tjerë të Durrësit, do të bëjmë gjithë çka është e mundur për të garantuar zbatimin me përpikmëri të ligjit për teatrot, ku 30 përqind e buxhetit për kulturën t’ju kalojë këtyre institucioneve. Është një shqetësim që shumë prej aktorëve në Durrës ma kanë komunikuar dhe meriton vëmendjen tonë të veçantë,” – ka thënë Eduard Halimi, kryetar i grupit të punës për Qarkun e Durrësit në këtë fushatë elektorale.
Ai gjithashtu ka theksuar se një vëmendje të veçantë do t’i kushtohej edhe nxitjes e mbështetjes së talenteve të reja në fusha të ndryshme të artit.
Artistët i përshëndeti edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, kandidati për një mandat të dytë si deputet, Igli Cara. “Është nder dhe privilegj të jesh me njerëz që kanë dhënë shumë për historinë e artit dhe kulturës në Durrës. Menduam që axhendës elektorale t’i bashkëngjisnim edhe një takim të tillë, të qetë e të paqtë, ndryshe nga ditët e tjera të fushatës,” – tha Igli Cara.
Artistët dhe kandidatët kanë festuar për disa orë, me muzikë e këngë, larg bisedave për politikën.





