DURRES, 4 qershor 2013 – Projekti “Pjesëmarrja e të rinjve Romë në rritjen e sigurisë komunitare në Durrës”, mbështetuar nga programi “Mbështetja Suedeze për Ministrinë e Brendshme/Policinë e Shtetit për policimin në komunitet ” ka vijuar së fundmi me dy aktivitete.
Një aktivitet sportiv, ndeshje futbolli, midis një skuadre të rinjsh nga punonjësit e Policisë lokale dhe të rinjve Romë të Durrësit. Aktivitet ky, i cili krahas nxitjes së një klime miqësore midis dy palëve, synon edhe promovimin e aktiviteteve sportive tek të rinjtë.
Sipas zëdhënëses së policisë së Durrësit Ornela Cako, ditën e sotme është zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës një aktivitet i konceptuar ky në formën e një trajnimi të efektivit policor mbi kulturën rome në tërësi dhe politikat e përfshirjes sociale të këtij komuniteti. Aktivitet ky i cili sipas saj synon qasjen dhe pranimin më të mirë mes palëve.
Krahas njohjes me të dhëna që lidhen me origjinën, kulturën, mënyrën e të jetuarit dhe problematikën me të cilën ndeshet komuniteti Rom, ky aktivitet ka marrë formën e një bashkëbisedimi tepër interaktiv e interesant për palët. Në takim u diskutua edhe mbi aspiratat e këtij komuniteti dhe pritshmëritë e tyre në drejtim të përfshirjes sociale.
Ky bashkëbisedim i hapur u dha mundësi palëve të diskutojnë e dialogojnë edhe për problematikën që lidhet me sigurinë publike në këtë komunitet si dhe mënyrat e përmirësimit të aspekteve të sigurisë nëpërmjet edukimit, arsimimit, informimit, përfaqësimit, nxitjes së bashkëpunimit, etj.
Gjatë këtij takimi u theksua fakti se organizata policore ka qenë gjithmonë pararojë në institucionet e administratës shtetërore në drejtim të qasjes me koncepte gjith-përfshirëse dhe kundër formave të diskriminimit, dhe këtë frymë e ka përçuar nëpërmjet aplikimit të politikave të diversitetit, si përfshirja gjithmonë e më tepër e femrave si dhe e gjithë komuniteteve përbërëse të shoqërisë në organizatë.
Sipas Cakos policia e Durrësit ka në përbërje të saj një numër efektivësh që vijnë nga komuniteti rom, punonjës këta të cilët përgjithësisht karakterizohen nga tipare të korrektësisë dhe profesionalizmit në detyrë.
Zëdhënësja e policisë njofton se aktivitetet në kuadër të këtij projekti do të vijojnë javën e ardhshme me një konferencë përmbyllëse, e cila do të konkludojë nëpërmjet rekomandimeve të nxjerra nga aktorët bashkëveprues mbi përmirësimin në të ardhmen të bashkëpunimit mes Policisë, pushtetit lokal, arsimit, shoqërisë civile në përgjithësi dhe organizatave të përfaqësimit rom në veçanti, në funksion të rritjes së sigurisë në komunitet.





