– Nuk dihet nëse njoftimi i huaj është i saktë, a ka pasur viktima apo dëme materiale
– Por, me sa duket, edhe pushteti edhe shkenca e arsimi i lartë janë përfshirë në fushatë elektorale
– I mbetet prokurorisë të hetojë për shpërdorim detyre ndaj personave përgjegjës, pasi negligjenca në urgjenca natyrore sizmike është me pasoja për popullsinë
TIRANË, 4 qershor 2013 –Tërmetin e orës 10:58:00 në Elbasan e “ndiejnë” në Itali, Greqi, Mesdhe, dhe e bëjnë publik qysh në orën 13:00 (http://earthquake-report.com/2013/06/04/minor-earthquake-albania-on-june-4-2013/), por kjo nuk ndodh në qendrën kombëtare të monitorimit të aktivitetit sizmik, ndonëse të huajt të dhënat i kanë marrë nga stacionet shqiptare!
Sikurse njofton EMSC-ja, Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (European-Mediterranean Seismological Centre / Centre Sismologique Euro-Méditerranéen) në orën 10:58:00 (ora e Shqipërisë) ka rënë një tërmet i lehtë me magnitudë 3 dhe epiqendër në thellësinë 2 km në afërsi të qytetit të Elbasanit (referuar hartës së EMSC-së).
Është e habitshme, por deri në orën 14:20 qendra kombëtare e monitorimit të aktivitetit sizmik në Tiranë, që bashkëpunon me EMSC-në dhe që ka nën administrim Rrjetin Sizmologjik Shqiptar, nuk ka raportuar këtë ngjarje sizmike.
Në sajtin e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit Politeknik të Tiranës shkruhet se Rrjeti Sizmologjik Shqiptar është i përbërë nga 13 stacione të pajisura me instrumente të ndryshme digjitalë, kurse Rrjeti Shqiptar i Lëkundjeve të Forta disponon 34 stacione digjitalë (16 akselerografë të tipit SMA-1 të përshtatura me teknologji digjitale, 10 sisteme CMG-5TD dhe 8 sensorë CMG-5T) të shpërndara në qytete të ndryshëm të vendit.
Një sistem i ri digjital, i cili përdor komunikimin satelitor (VSAT), është tashmë në operim si pjesë e rrjetit tonë sizmologjik.
7 stacione periferike të cilët transmetojnë në kohë reale janë instaluar në Sarandë, Peshkopi, Korçë, Bajram Curri, Pukë, Tiranë dhe Vlorë.
Nuk dihet nëse njoftimi i huaj është i saktë, a ka pasur viktima apo dëme materiale.
Por, me sa duket, edhe pushteti edhe shkenca e arsimi i lartë janë përfshirë në fushatë elektorale.
I mbetet prokurorisë të hetojë për shpërdorim detyre ndaj personave përgjegjës, pasi negligjenca në urgjenca natyrore sizmike është me pasoja për popullsinë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





