TIRANE, 4 qershor 2013 – Fushata nisi dhe tubimet elektorale deri më 23 Qershor do jenë të shumta.

Qytetarët amerikanë që jetojnë në shtetin shqiptar këshillohen nga ambasada e shtetit të tyre në Shqipëri që të shmangin tubimet elektorale pasi situata mund të tejkalojnë dhe në dhunë. 

Të paktën kjo njoftohet në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane ku kujton qytetarët amerikanë që udhëtojnë përkohësisht apo janë rezident në Shqipëri se në këtë shtet ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 23 Qershor. 

"Tubimet pritet të rriten gjatë sezonit elektoral dhe kjo njihet si një pjesë normale e proceseve demokratike. Por qytetarët amerikanë duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të vetëdijshëm për sigurinë e tyre personale, duke evituar tubimet publike që kanë lidhje me zgjedhjet e 23 Qershorit, të evitojnë çdo lloj mitingu në Tiranë e kudo në vend. 

Të gjitha tubimet dhe mitingjet elektorale kanë potencial të të pasur konfrontime dhe të tejkalojnë në dhunë”, citon njoftimi zyrtar nga Ambasada e SHBA në Shqipëri. 

“Ju duhet të evitoni zonat e demonstrimeve dhe të keni shumë kujdes në rast se këto grumbullime, protesta apo demonstrata janë të mëdha. Mbledhjet masive mund të shkaktojnë trazira në të gjithë qytetin ku ato mbahen. Demonstratat që ndodhin në një qytet kanë potencialin të çojnë në tubime publike dhe në demonstrata në të gjitha zonat e tjera në qytetet ku ato ndodhin”, shkruan më tej Ambasada. 

Po kështu, qytetarët amerikanë këshillohen që të informohen nga mediat dhe nga lajmërimet e qeverisë në lidhje me situatat e trazirave që mund të shkaktohen gjatë kohës parazgjedhore. 

Qytetarët amerikanë këshillohen të lajmërojnë në çdo rast ambasadën, nisur nga shqetësimet e mundshme që ata mund të kenë për këto situata.