DURRËS, 4 qershor 2013 – Kandidatët për deputetë të së majtës durrsake kanë zhvilluar një takim me arsimtarët e Durrësit në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu".

Sipas zëdhënësit të fushatës së selisë rozë, interesimi për t’u njohur me programin e PS për të rilindur arsimin ka bërë që salla të ishte e tejmbushur nga numri i madh i mësuesve.

Në takim kanë qenë të pranishëm deputetët Blendi Klosi e Klodjana Spahiu si dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit e njëkohësisht anëtari i kryesisë së PSSH Vangjush Dako, i cili në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se PS do të rilindë arsimin, që aktualisht ndodhet në krizë të thellë por gjithashtu do t’i japë fund presioneve që ushtron pushteti mbi arsimin si dhe do ti japë fund njeherë e mirë  militantizmit politik të shkollës.

Në këtë takim e kanë marrë fjalën shumë mësues me eksperiencë por edhe mësues ët rinj që kanë ngritur shqetësimet e tyre për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot arsimi. Gjithashtu ata kanë ngritur zërin për presionin e madh që ushtron sot qeveria mbi arsimtarët gjë që e ka rënduar edhe më shumë situatën në arsimin shqiptar. Arsimtarët kanë shprehur bindjen e plotë se programi i Rilindjes dhe i PS-së janë shpresa e vetme për të shpëtuar arsimin nga rrënimi ku ndodhet sot dhe për ta rimëkëmbur atë plotësisht.

Në takim e ka marrë fjalën edhe deputetja Klodiana Spahiu e cila fillimisht i ka bërë një përmbledhje treguesve aktualë të arsimit që janë katastrofikë si pasojë e keqqeverisjes aktuale. Sipas Spahiut qeveria e Sali Berishës e ka zhytur në krizë të thellë arsimin pasi aktualisht analfabetizmi është në shkallën 15 %, vetëm 40% e nxënësve arritën nivelin minimal në matematike dhe shkencë (nota 5), Shqipëria ndodhet në grupin e fundit – 100 pikë nën mesataren e OECD dhe se sipas raportit (PISA), 57% e 15-vjeçarëve shqiptarë janë analfabetë funksionalë, thënë ndryshe nuk kuptojnë atë që lexojnë.

Spahiu deklaroi midis të tjerash se aktualisht nga çdo brez, 20 mijë të rinj nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme dhe vetëm 60% e nxënësve marrin një dëftesë pjekurie ndërkohë që në të gjithë vendin vetëm 12% e të rinjve frekuentojnë shkollën profesionale dhe nga këta 90% duan të vazhdojnë arsim të mëtejshëm pasi nuk gjejnë dot vende pune. Pas përmbedhjes së situatës aktuale deputetja Klodiana Spahiu deklaroi se me qeverinë e PS-së edhe arsimi do të rilindë dhe në këtë kuadër Spahiu ka shpjeguar edhe vizionin e PS-së për arsimin i cili është:

"Qeveria me Edi Ramën kryeministër do të rimëkëmbë totalisht arsimin me një program të përcaktuar qartë. Do të bëjmë akreditimin e universiteteve private dhe publike. Cdo i ri deri në 26 vjec  të jetë diplomuar në universitet, formuar një profesion ose sistemuar në një punë. Arsimi publik jo me pak se 5% e PBB. Krijimi i Kartës së Performancës së Shkollës do tu ofrojë prindërve informacion mbi standartet e shkollës. Shkollat do të jenë një mjedis i sigurt për fëmijët dhe tolerancë zero ndaj sjelljes anti-sociale. Kthimi i shkollave në qendra komunitare kulturore pas orareve të mësimit. Mësuesi-nxënësi-prindi do të përbëjnë një bosht të pandashëm të politikës sonë të re me arsimin. Ne do ti japim fund njeherë e mirë  militantizmit politik të shkollës. Arsimi si fitim i dijeve dhe aftësive krijuese, shpirt sipërmarrje, vlera morale, kulturë politike dhe vlera demokratike. Mësuesi do të rifitojë statusin e tij si një nëpunës civil i depolitizuar. Rivlerësim i rolit të mesuesit në shoqëri – Mësuesi: figurë e respektuar nga shoqëria dhe e trajtuar në mënyre elitare. Vetëm nga taksimi i ndershëm, mësuesit do të përfitojne një pagë neto më shumë në vit. Përsa i përket arsimit profesional  synimi ynë është që shkollimi profesional të arrijë në 40% të të rinjve në shkollë dhe çdo i ri do të ketë mundësinë për të marrë një zanat nëpërmjet arsimit profesional. Koordinim i këtij arsimi me kërkesat reale të tregut të punës, krijimi i shkollave të arsimit të lartë profesional. Ne zotohemi se  do të ofrojmë transport për nxënësit që jetojnë 20 minuta larg shkollave, do të krijojmë kurse pa pagesë pas orarit të mësimeve, do të rindërtojmë arsimin profesional drejt nevojave reale të tregut të punës në Shqipëri, mundësi zhvillimi për universitete që pajisin studentët me dije dhe stimulojnë kërkim shkencor, vendosja e shërbimit psiko-social në të gjitha institucionet e sistemit parashkollor, çdo nxënës apo grup nxënësish  me aftësi të kufizuara ose nevoja të vecanta do të ketë në dispozicion një mësues të dytë etj."- tha Spahiu në fjalën e saj.