Oketa: FRD ka moralin politik, armën e më të fortë.

Kryetari i FRD-së Bamir Topi ishte pas dite në fshatin Radë në bashkinë e Manzës të qarkut Durrës. Banorët e Radës i rezervuan një pritje entuziaste me brohoritje e duartrokitje Frymës së Re Demorkatike. Në këtë takim me banorët e Radës kryetari Topi, vlerësoi pasuritë natyrore dhe turistike të kësaj zone dhe akuzoi qeverinë aktuale për abuzimin dhe lënien pas dore të kësaj zone.

”Mentaliteti komunist dhe frenues i qeverisë ka penguar zhvillimin e kësaj zone. Fushata zgjedhore po realizohet me shumë zhurmë e daulle dhe kryetarët e partive të vjetra shkëmbejnë sharje e batuta ndërkohë që ju keni nevojë për projekte konkrete për të ardhmen”. Duke përmendur premtimet e pambajtura të qeverisë dhe kryeministrit në këtë zone, Topi tha se nëse ata vijnë sot para jush me një kontratë me qytetarët, duhet të japin llogari për ato që nuk kanë bërë.

Ndërsa përmendi problemin e legalizimeve, ai theksoi se shumica e familjeve në zonën e Manzës nuk kanë çertifikatë pronësie për shkak se politika ose është e paaftë ose e bën qëllimisht për ti hapur rrugë abuzimit me trojet turistike. “Shikoni si pushtetarët kanë uzurpuar zonën e detit përmes korrupsionit të qeverisë” – u tha Topi qytetarëve.

Duke iu referuar seancës së fundit parlamentare, kryetari i FRD-së tha se antarësimin në BE nuk e përcaktojnë vetëm 3 ligje, por standartet e BE dhe demokracia funksionale.

Sekretari i përgjithshëm dhe kandidati i parë në listën e FRD, Gazmend Oketa tha se në këtë kohë ku politika shqiptare është në krizë të thellë morali, FRD ka si armën më të fortë moralin politik. Duke ftuar banorët e zonës për të mbështetur Frymën e Re me votë ai shprehu sigurinë se zona e Manzës do të përfaqësohet në Kuvend me deputet.

Kandidati për deputet i zonës Sami Gjergji u kërkoi votën banorëve të zones, duke i siguruar ata se do t’i përfaqësojë denjësisht në parlament dhe do të mbrojë interesat e tyre dhe jo të karriges së tij.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/