DURRËS, 3 qershor 2013– Dy kandidatët për deputetë të qarkut të Durrësit, Eduard Halimi dhe Igli Cara kanë takuar banorë të zonës së Spitallës, ku kanë diskutuar për çështje të ndryshme, që nga legalizimet, furnizimi me ujë të pijshëm, e deri tek shtrimi i rrugëve të brendshme. Kandidati Igli Cara, pasi renditi premtimet e mbajtura nga qeveria, tha se për mandatin e ardhshëm do të ndërmerren deri edhe ndryshimet e nevojshme ligjore, që pushteti vendor të detyrohet për të investuar në infrastrukturë fondet që u transferohen nga qeveria. Halimi u kujtoi banoreve se problemet me te cilat përballej zona e Spitallës në vitin 2005 tashmë janë zgjidhur:
“Rrugët kryesore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të qytetit janë ndërtuar, siç është edhe rruga e Porto Romanos. Furnizimi me energji elektrike është tani një problem i së kaluarës. Po ashtu, edhe furnizimi me ujë të pijshëm është zgjidhur plotësisht, pasi kjo zonë tani furnizohet 24 orë në ditë.” Një prej problemeve që zona e Spitallës kishte ishte edhe legalizimi i ndërtimeve informale dhe urbanizimi i zonës. Sipas Halimit, kjo çështje tashmë ka hyrë në rrugën e zgjidhjes së plotë. “Ju keni investuar dhe keni ndërtuar shtëpitë tuaja në këtë zonë dhe t’i gëzoni ato. Proçesi i legalizimit këtu ka arritur deri në 92 përqind dhe brenda vitit do të mbyllet plotësisht. Ju do të merrni në dorë çertifikatat e pronësisë së shtëpive, që do të jenë çertifikata elektronike dhe të pakontestueshme nëpër gjykata.”- premtoi ai.
Halimi: Modeli qeverisës i Ramës i dështuar
Më tej, Halimi tha se modeli qeverisës i Ramës është model i dështuar.
“Ai ishte për 11 vjet në qeverisje, qeverisi Bashkinë e Tiranës, dhe nuk bëri asgjë. Nuk legalizoi asnjë ndërtim, la qendën e Tiranës me rrugë me gropa, bllokoi zhvillimin dhe integrimin e vendit në çdo drejtim sepse ai punon vetëm për klanin e tij. Ky është modeli i tij qeverisës, një model i dështuar që Tirana e hodhi në Lanë. Tani, e gjithë Shqipëria do t’i thotë jo këtij modeli.”
Duke u ndalur te ky model i dështuar qeverisës, kandidati Igli Cara shtoi se nuk do të lejohet më që Bashkia e Durrësit të lërë në harresë zonat periferike.
“Ju këtu i keni rrugët e brendshme të lagjeve tuaja të pashtruara, – tha Igli Cara. – Ato janë në këtë gjendje, sepse Bashkia e Durrësit dhe Vangjush Dako nuk kanë mbajtur asnjë prej premtimeve ju kanë dhënë. Madje, kanë shpërdoruar edhe fondet që qeveria i ka transferuar pushtetit vendor.” “Shtrimi i rrugëve të brendshme është detyrim i pushtetit vendor, – tha Igli Cara. – Por, ne nuk mund t’i lëmë ato në këtë gjendje. Ne do të ndërmarrim ndryshimet e nevojshme ligjore, që fondet e transferuara nga qeveria të shkojnë detyrimisht për shtrimin e rrugëve dhe përmirësimin e infrastrukturës. Në i alokojmë çdo vit mbi 4 milionë dollarë Bashkisë së Durrësit dhe nuk do të pranojmë që ato fonde të shkojnë për të paguar pagat e militantëve të Partisë Socialiste.”
Dy kandidatët ftuan pjesëmarrësit në takim të votojnë për Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha, të votojnë për alternativën e premtimeve të mbajtura dhe jo për alternativën e çoroditur të Edi Ramës.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





