DURRËS, 3 qershor 2013 – Ditën e shtunë më datë 01.06.2013 rreth orës 23:30 policia e Durrësit ka vënë në pranga shtetasin Valdet Morina, 36 vjeç, banues në fshatin Jovic, Komuna e Malishevës Kosovë, me shtetësi kosovare.

Po në këtë datë rreth orës 21.00, ky shtetas është kapur në flagrancë në  Portin e Durrësit, në kohën kur do të udhëtonte në drejtim të Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, pasi pasaporta që ka paraqitur para autoriteteve të Policisë Kufitare, në faqen nr. 8 mbante të vendosur një leje qëndrimi gjermane që dyshohet se është e falsifikuar në datën e vlefshmërisë se saj.

Nga ana e policisë së Durrësit u kryen veprimet e nevojshme proceduriale dhe materialet për veprën penale të falsifikimit të dokumentave iu përcollën për ndjekje Prokurorisë së Rrethit.