Pohime të bujshme të zëdhënësit të qeverisë:

·         “Nuk ka statistika mbi turizmin, vetëm hyrje-dalje, prandaj nuk e dimë se sa vizitorë janë turistë apo dhe sa janë biznesmenë.

·        Nuk ka as statistika për ditë/net qëndrimi në hotele.

TIRANË, 3 qershor 2013 – Në Shqipëri “nuk ka statistika mbi turizmin, vetëm hyrje-dalje, pa pasur mundësi të dihet nëse vizitorët janë turistë apo biznesmenë. Nuk ka as statistika për ditë/net qëndrimi në hotele. Për shkak se pronarët e hoteleve u shmangen taksave, nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me sistemin e statistikave të ministrisë së turizmit”, pohimin e bujshëm “anti-elektoral” e ka bërë një zëdhënës i qeverisë shqiptare, i cituar më 3 qershor 2013 nga portali zviceran “swissinfo.ch”, shërbim ndërkombëtar informimi i Korporatës Radio-televizive të Zvicrës (SBC), e mandatuar nga qeveria federale.

Një reportazh nga Tirana i gazetarit zviceran Gabi Oksenbajn (Gaby Ochsenbein) të titulluar “Vendi i kontrasteve / Turizmi në Shqipëri: kantier ndërtimi me potencial” i botuar më 3 qershor në portalin publik zviceran “swissinfo.ch”, edhe pse me tone dashamirëse për Shqipërinë, nuk lë pa përmendur që në fillim të shkrimit faktin se ndonëse “po përpiqet të promovohet si destinacion turistik, ajo nuk është e njohur, që do të thotë se nuk është tërheqëse nga pikëpamja turistike, madje edhe po të rritet numri i vizitorëve”.

Pasi është cituar ambasadori helvetik në Tiranë Aleksandër Vitver, që Shqipëria “ka shumë potenciale”, gazetari vëren se ajo “gjithashtu ka reputacion të keq për korrupsionin, kriminalitetin dhe gjakmarrjen. Nuk është çudi që për momentin nuk figuron ndër destinacionet e pushimeve të ofruara nga dy agjencitë e mëdha zvicerane të udhëtimeve Kuoni dhe Hotelplan”.

Por më të habitshme janë pohimet e “zëdhënësit të qeverisë Enton Derraj”, që mbyllin reportazhin: “Nuk ka statistika mbi turizmin, vetëm hyrje-dalje, prandaj nuk e dimë se sa vizitorë janë turistë apo dhe sa janë biznesmenë. Nuk ka as statistika për ditë/net qëndrimi në hotele. Për shkak se pronarët e hoteleve u shmangen taksave, nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me sistemin e statistikave të ministrisë së turizmit”.

Dhe, si për t’i vënë kapak, Derraj thotë: “Meqenëse kanë ende nevojë të investojnë dhe të rriten, nuk po ushtrojmë presion mbi ta aktualisht. Jemi mjaft tolerantë”.

Në këtë këndvështrim del se shifrat e paraqitura për milionë turistë në vit janë të pasakta.

“Dyrrah” po boton versionin e plotë të shkrimit.    

REPORTAZHI 

Vendi i kontrasteve / Turizmi në Shqipëri: kantier ndërtimi me potencial*

Nga Gabi Oksenbajn (Gaby Ochsenbein) në Tiranë.

Shqipëria, e mbyllur për dekada të tëra, dhe e hapur për vizitorët vetëm 20 vitet e fundit, po përpiqet të promovohet si destinacion turistik. Por ajo nuk është e njohur, që do të thotë se nuk është tërheqëse nga pikëpamja turistike, madje edhe po të rritet numri i vizitorëve [paragrafi me “të zeza” (bold) është i origjinalit – “Dyrrah”].

“Shqipëria nuk është ende në radar, por me bregdetin mahnitëse, historinë, rrënojat e lashta, malet dhe natyrën e saj të paprekur tregon se ka shumë potenciale”, thotë ambasadori zviceran në Tiranë që nga janari 2013, Aleksandër Vitver (Alexander Wittwer).

Shqipëria mund të ketë potenciale, por gjithashtu ka reputacion të keq për korrupsionin, kriminalitetin dhe gjakmarrjen. Nuk është çudi që për momentin nuk figuron ndër destinacionet e pushimeve të ofruara nga dy agjencitë e mëdha zvicerane të udhëtimeve Kuoni dhe Hotelplan.

Kur u pyetën pse ndodh kjo, ata thonë se ka pak kërkesa. Shumica e vizitorëve shkojnë për ekskursione më këmbë (hiking), turne kulturore ose arsimore. Megjithatë, numri i zviceranëve që kanë vizituar Shqipërinë është rritur nga rreth 6 mijë në vitin 2005 në më shumë se 40 mijë veta vitin e kaluar.

Rritja më e madhe e vizitorëve vjen nga fqinjët e saj, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Por ka edhe turistë nga Greqia, Italia, Gjermania, Polonia dhe vende të tjera, zakonisht në grupe turistike. Herë pas here ankorohen krociera në rivierën shqiptare. Por turistët individuale janë shumë të pakët edhe pse se guida e kompanisë Lonely Planet e ka quajtur Shqipërinë top destinacion turistik në vitin 2011.

Gropa të rrezikshme dhe njerëz të këndshëm

Çdokush që dëshiron të eksplorojë vendin me transporti publik duhet të jetë i durueshëm, por mëson shumë lidhur me mënyrën e jetesës së njerëzve. Ka disa linja hekurudhore dhe trenat janë shumë të ngadalshëm. Ka mjaft linja autobusësh dhe furgonësh, por oraret nuk respektohen gjithmonë. Dhe drejtuesit e mjeteve ballafaqohen me rrugë plot gunga dhe gropa, sidomos në itineraret mes përmes vendit. Edhe trotuaret janë plot rreziqe: kanale të hapura dhe karabina të pambrojtura ndërtesash janë në pritje të kalimtarëve të pakujdesshëm.

Por këto probleme harrohen shpejt përballë njerëzve të këndshëm dhe kureshtarë, të cilët me kënaqësi flasin me vizitorët e huaj. Takon barinj lopësh, delesh apo dhish, peshkatarë që shesin gjahun buzë rrugës, të moshuar që lërim me pendë, apo duke yshtur mushka ose gomarë të ngarkuar me dru, kashtë dhe plot gjëra të tjera. Ushqimi është i mirë dhe i lirë, hotele, si rregull, të pastra dhe jo të shtrenjta, ndërkohë që lumenjtë dhe malet janë magjepsëse.

Në Shqipëri është e pamundur të mos i vësh re ose t’i shpërfillësh: bunkerët nga koha e diktatorit Enver Hoxha. Mund të shihen në qytete dhe fshatra, kopshte dhe vreshta, kodra, male, buzë detit, madje edhe në varreza.

Mercedes dhe beton

Ajo që i bën përshtypje çdo vizitori rishtar në Shqipëri është numri i madh i makinave Mercedes, që janë të pranishme kudo, në qytete dhe fshatra. Është e pamundur të habitesh për faktin se kush mund t’i lejojë vetes një makinë të tillë të shtrenjtë në një nga vendet më të varfra të Evropës, dhe sa prej tyre ndoshta janë të vjedhura. Duket sikur njerëzit kanë një dëshirë të papërmbajtshme për makina, pasi gjatë dyzet vjetëve të regjimit të vjetër të Enver Hoxhës gjithë transporti privat ishte i ndaluar.

Diçka tjetër që është e pamundur të mungojnë, bunkerët prej betoni të madhësive të ndryshme, të cilat regjimi i vendosi në të gjithë vendin në vitet 1970 dhe '80 nga frika e pushtuesve. Këto relikte të Luftës së Ftohtë mund të gjenden në plazhe, në male ose midis shtëpive – është thënë se kanë qenë njëqind mijë.

Ka shumë beton në përdorim sot: Shqipëria duket si kantier i madh. Rrugë dhe autostrada po ndërtohen kudo, ndërsa po rritet me shpejtësi numri shtëpive përgjatë bregdetit dhe në qytetet. Por jo të gjitha kanë përfunduar, qoftë për mungesë parash, ose për shkak si ndërtime të paligjshme janë ndaluar nga qeveria. Rezultati është se zona të tëra janë shpërfytyruar nga skelete të panumërta të shëmtuara ndërtesash.

Rrethinat natyrore janë dëmtuar gjithashtu nga mbeturina të hedhura në pika piktoreske: qese plastike dhe plehra të gjitha llojeve mund t’i gjendesh në lumenj, fusha, në pjesën e prapme të shtëpive. Dhe kur era fryn në drejtim të gabuar, kundërmimi që vjen nga djegia e plehrave detyron mysafirin të mbyllë dritaren e hotelit të tij.

Zvicër-Shqipëri

Të dy vendet kanë pasur marrëdhënie diplomatike që nga viti 1921. Zvicra ka pasur kryetar misioni në Tiranë që nga viti 1991.

Sekretariati i Shtetit për Çështje Ekonomike dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) kanë një buxhet vjetor prej rreth 13 milionë frangash zvicerane (13.6 milionë dollarë) për programet e tyre në Shqipëri.

Marrëdhëniet ekonomike janë në një nivel të ulët: eksportet zvicerane në Shqipëri në vitin 2011 ishin me vlerë 36 milionë, dhe importet 3 milionë franga zvicerane.

Në Shqipëri janë regjistruar 69 shtetas zviceranë. Në Zvicër banojnë rreth 200 mijë shqiptarë nga Kosova, por vetëm rreth një mijë nga Shqipëria.

Një biznes në stadin e ngritjes

Agjencia shqiptare e turizmit është gjithashtu ende në procesin e ndërtimit, sikurse pranon zëdhënësi i qeverisë Enton Derraj. Dy vjet ishte këshilltar në ministrinë e turizmit.

“Problemi ynë më i madh është menaxhimi i mbeturinave. Të gjithë të huajt e përmendin këtë gjë. Po punojmë për të përfunduar sistemin e depozitimit të mbeturinave dhe çdo vit zhvillojmë fushata kundër plehrave. Në parim, kjo nuk ka të bëjë me sistemin apo infrastrukturën, por me mendësitë. Do të duhet kohë të rrisim ndërgjegjësimin e njerëzve për këtë çështje”.

Për t’u promovuar si destinacion turistik, gjatë disa viteve të fundit shteti ka investuar në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike: rrugë, furnizim me ujë, shëndetësi. Në disa raste ka marrë ndihmë nga jashtë.

Dy vjet më parë u miratua një ligj mbi planifikimin hapësinor, që synon parandalimin e ndërtimeve të paligjshme sikurse ka ndodhur në një shkallë të madhe në qytetet bregdetare të Sarandës, Durrësit dhe Vlorës. Projektet madhore si rezorte pushimesh tani duhet të marrin miratimin e komisionit kombëtar të planifikimit.

“Ne duam të parandalojmë ndërtimet e mëdha në të gjithë bregdetin, sikurse ka ndodhur në Malin e Zi, për shembull”.

Jo turizëm masiv

Derraj deklaron se Shqipëria nuk synon turizmin masiv.

“Është e vërtetë se e duam të zhvillojmë turizmin e plazhit, por jo si në Spanjë apo Greqi, por duke pasur parasysh konsideratat mjedisore”, tha ai.

Strategjia e re, që pritet të miratohet këtë vit, do të promovojë hiking- un (shëtitje, ekskursione më këmbë), turizmin malor dhe agroturizmin, si dhe turet kulturore. Shqipëria ka tre vendbanime të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s: rrënojat e Butrintit dhe qytetet osmane [?!] të Gjirokastrës dhe Beratit.

Të huajt kanë mundur të udhëtojnë lirisht në Shqipëri vetëm 20 vitet e fundit. Kjo do të thotë se turizmi i huaj dhe hoteleria janë degë të ekonomisë relativisht kohët e fundit, ndërsa vendit i mungon përvoja në këtë fushë, thotë Derraj. Nuk ka statistika mbi turizmin, vetëm hyrje-dalje, prandaj nuk e dimë se sa vizitorë janë turistë apo dhe sa janë biznesmenë.

Nuk ka as statistika për ditë/net qëndrimi në hotele.

“Për shkak se pronarët e hoteleve u shmangen taksave, nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me sistemin e statistikave të ministrisë së turizmit”, shpjegon ai. “Meqenëse kanë ende nevojë të investojnë dhe të rriten, nuk po ushtrojmë presion mbi ta aktualisht. Jemi mjaft tolerantë”.

* Titulli në origjinalin gjermanisht “LAND DER GEGENSÄTZE / Tourismus in Albanien: eine Baustelle mit Potential” (www.swissinfo.ch/ger/gesellschaft/Tourismus_in_Albanien:_eine_Baustelle_mit_Potential.html?link=tdj&cid=35973356)

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/