DURRËS, 3 qershor 2013 – Durrësi ka nevojë për një rilindje mjedisore, kryetari i Partisë së Gjelbër Edlir Petanaj bëri prezantimin e kandidatëve për deputetëtë Partisë së Gjelbër në Durrës.
Sipas njoftimit për shtyp të kësaj partie, lista e këtij qarku kryesohet nga juristi Besim Sukthi dhe vijon me kandidatët Erjola Vogli, Alion Hysa, Olsi Bakalli, Albana Stafaj, Kujtim Lika etj,
Në fjalën e tij z. Edlir Petanaj theksoi:
“Është koha që me votën tonë më 23 qershor të sjellim ndryshimin që shoqëria jonë kërkon duke votuar për “Një zë të Gjelbër në Parlament e ardhshëm” . Pas 23 qershorit dëshirojmë të kemi “Një Shqipëri të Gjelbër”, ku zhvillimi i qëndrueshëm dhe mirëqenia mjedisore të jenë themelet e së ardhmes sonë evropiane”.
Sipas Petanajt, deri më sot nuk kemi pasur një politikë të ndershme dhe miqësore me mjedisin dhe burimet natyrore.
"Ka ardhur koha që të ndryshojmë kursin politik dhe vendimmarrjet në lidhje me mjedisin. Kjo është arsyeja që ne sot kemi nevojë për një politikë ndryshe, një politikë të re, ku mjedisi të jetë prioritet i programeve të ardhshme qeverisëse."
Të Gjelbrit thonë se Durrësi duhet të jetë një nga qendrat më të zhvilluara turistike të vendit. Zhvillimi i industrisë së turizmit, bujqësisë, industrisë së agro-përpunimit dhe peshkimit si një zinxhir i qëndrueshëm do t’i sillnin këtij rajoni zhvillim ekonomik dhe punësim.
Natyra i ka falur Durrësit dhe Krujës potenciale të jashtëzakonshme turistike dhe të gjitha resurset që i nevojiten për ta zhvilluar këtë sektor.
"Pa një mjedis të pastër nuk ka turizëm", tha Petanaj.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





