DURRËS, 3 qershor 2013 – Dhuna në familje po merr forma dhe përmasa nga më të çuditshmet.
Vetëm këtë fundjavë në qytetin e Durrësit janë denoncuar 4 raste dhune në familje duke nisur që nga djali që dhunon nënën, vëllai dhunon motrën, vjerra e vjerri dhunojnë nusen e deri tek bashkëshortët që dhunojnë gratë e tyre.
Mbrëmjen e ditës së djeshme rreth orës 23.30, policia e Durrësit ka vënë në pranga shtetasin me inicdiale R.P., 22 vjeç, banues ne Durrës. Sipas policisë ky shtetas rreth orës 18.00 dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj nënës së tij 41-vjeçare. Mbi 22 vjeçarin rëndon akuza e kryerjes së veprës penale “Dhunë në Familje”.
Gjithashtu mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20.30, një shtetase 28-vjeçare, banuese në Durrës, ka bërë kallëzim se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, shtetasi me iniciale J.T., 38 vjeç nga vjehrri i saj, shtetasi me iniciale F.T., 63 vjeç, dhe vjehrra e saj, shtetesja me iniciale M.T., 60 vjeçe.
Tre ditë më parë policia e Durrësit ka plotësuar Kërkesë-Padi për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes së Menjëhershme për 2 shtetase:
Sipas policisë shtetësja 55-vjeçare, banuese në Durrës, ka trokitur në dyert e policisë pasi ajo pretendon se vellai i saj, shtetasi me iniciale I.H., 49 vjeç, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj.
Gjithashtu dhe një shtetase tjetër 31-vjeçare, banuese në Durrës, i është bashkangjitu rasteve të denoncimit të dhunës, pasi bashkëshorti i saj, shtetasi me iniciale P.N., 33 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
Materialet për rastet në fjalë iu përcollën Gjykatës Rrethit Durrës.





