DURRËS, 3 qershor 2013 – Zaptimi i trotuareve nga biznese të ndryshme që operojnë në qytetin bregdetar, janë kthyer në një shqetësim për qytetarët durrsakë.

Dhjetra biznese duke përfituar nga rritja e temperaturave kanë nxjerrë tavolinat e karriget në trotuar, vend në të cilin duhet të lëvizin këmbësorët.

Kjo situatë ka ndikuar në lëvizjen e qytetarëve, të cilët në pamundësi për të ecur në trotuar, devijojnë duke lëvizur në rrugën e automjeteve. 

Kudo në çdo vend, trotuaret i krijojnë mundësi kalimi qytetarëve për të mos u rrezikuar nga automjetet, por në Durrës totuaret e kanë humbur funksionin për të cilin janë ndërtuar. 

Të ecësh lirshëm mbi trotuar, pa devijuar rrugën në disa raste është mision i pamundur, pasi ata janë kthyer në shërbim të bizneseve që kanë vendosur tavolinat e karriget buzë rrugës.

Është kopetencë e policisë bashkiake për të ndërhyrë përballë kësaj situate dhe të ndëshkojë kundravajtësit me gjobë. Por, deri më sot, ankesat e qytetarëve nuk kanë marrë asnjë zgjidhje, çka bën që këmbësorët të ecin bashkë me automjetet duke rrezikur jetën.

Lidhur me situatë problematike të krijuar në rrugët e qytetit bregdetar, ku qytetarët e kanë të pamundur të lëvizin, në bashksinë e  Durrësit mësojmë se shumë shpjet do të ndërhyhet. 

"Shqetësimi i ngritur nga ana e qytetarëve durrsakë, do të marrë zgjidhje shumë shpejt. Është e vërtetë që pjesa me e madhe e trotuareve janë zaptuar në mënyrë të paligjshme nga biznese të ndryshme të qytetit, por premtojme që brenda pak ditësh do të ndërhyjmë me qëllim largimin e tyre nga trotuarët dhe kthimin e hapësira publike në funksion të qytetarëve", u shpreh kreu i bashkisë së qytetit Vangjush Dako.

Sipas Dakos, bizneset i kanë zaptuar trotuaret në mënyrë të paligjshme dhe 90 përqind e tyre nuk paguajnë asnjë lloji takse pranë bashkisë së qytetit për shfrytëzimin e këtyre hapësirave publike, duke paralajmëruar ndëshkimin e tyre me gjobë deri në sekuestrimin e objekteve të vendosura në trotuar.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/