DURRËS, 3 qershor 2013 – Autoriteti Portual Durrës (APD) do të organizojë së shpejti një sërë kursesh trajnimi, me synim rritjen e nivelit profesional të personelit, si dhe përgatitjen e të rinjve që kanë përfunduar shkollën e mesme, njofton zëdhënësja e shtypit Vilma Hoxha.

Kurset teorike-praktike do të zhvillohen në mjediset e Qendrës së Trajnimit si dhe në terminalet portuale, duke shfrytëzuar mjetet dhe mekanizmat e disponueshëm nga APD-ja.

Kurset me kohëzgjatje nga 45 deri në 522 orë përfshijnë 15 trajnime dhe kualifikime në nivele të ndryshme si stivador, përgjegjës përpunimi anijesh, inspektorë sheshi dhe logjistike, si dhe planifikues e menaxherë terminali.

Kualifikimet me periudha më të gjata kohore u kushtohen profesioneve të elektrovinçierëve dhe manovruesve të karelit dhe të Reach stacker.

Numri i parashikuar i pjesëmarrësve në secilin prej kurseve do të jetë nga 4-12 veta.

Info

APD-ja është licencuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit për ofrimin e kurseve të formimit profesional.

Qendra e Trajnimeve ka marrë pamjen e një minishkolle moderne me gjashtë klasa, në të cilat mund të zhvillojnë përkatësisht mësim 16-32 kursantë njëherësh.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/