·         Stela Skënderaj, stilistja fierake me emër që tërhoqi vëmendjen e mbi 3 milionë vizitorëve vendas dhe të huaj në Izmir

DURRËS, 2 qershor 2013 – Veshja kombëtare e dizajnuar nga stilistja fierake Stela Skenderaj, që u ekspozua në panairin ndërkombëtar të Izmirit, më 24-26 maj 2013, ka tërhequr vëmendjen e mbi 3 milionë vizitorëve vendas dhe të huaj, i tregon “Dyrrah”-ut përshtypjet e saj Ingrid Buzali, që ndodhet në Turqi me 12 nxënës të kolegjit “Turgut Ozal” të Durrësit.

Në fakt, mediet turke i kanë bërë jehonë panairit të Izmirit, deri dhe një reportazh me kohëzgjatje 2 minuta e 36 sekonda në televizionin Küre.tv me titullin “Dizajni që përshkruan historinë e Shqipërisë në veshje”.

Në panair vajza dhe djem kanë kërcyer valle, kanë luajtur rolin e ciceronit, sidomos në paraqitjen e një veshjeje moderne femërore me motive kombëtare, stiluar nga Stela Skenderaj.

Internautët e “Dyrrah”-ut mund të konstatojnë atë emancipim të shoqërisë së sotme turke që nuk e ndien veten të provokuar kur i ekspozohet një veshje spektakolare kuq e zi dhe me motivin e shqiponjës.

Veshja është fustan dhe pelerinë, që kur e hap dhe ngre duart lart, të shfaqen nga thellësia e zemrës portretet e qëndisura në të majtë e të djathtë të dy figurave qendrore të Shqipërisë, Skënderbeut dhe Ismail Qemalit.

Durrsakja Ingrid Buzali, që ndodhet në Turqi për një tur njohës njëmujor (16 maj-17 qershor), ka dashur që të falënderojë nga zemra për organizimin e mrekullueshëm të stendës shqiptare drejtuesit e kolegjeve dhe universiteteve turke në Shqipëri, stilisten e famshme Stela Skenderaj, zëvendësministren shqiptare të Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve Suzanë Turku, zëvendëskryetarin e parë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës Hydajet Hyseni-Kaloshi, konsullin e përgjithshëm të Shqipërisë në Stamboll Ermal Muça.

Në këtë ngjarje me rëndësi në Izmir kanë kontribuar dhe vajzat Sandra Carolina Higareda, Xhini Rizaj, Nil Rrustolli, Arife Ahmeti, të cilat pa u lodhur ekspozuan këto veshje madhështore për tri ditë me radhë.

Në fakt, në panair kanë punuar vullnetarisht dhe me një ndjenjë atdhedashurie djem dhe vajza që studiojnë në kolegjet turke në Shqipëri, Kosovë e Malin e Zi, si dhe shumë tjerë nga trevat shqiptare në 10 universitetet e Izmirit.

Info/ Stela Skenderaj

Stela Skenderaj është një stiliste me reputacion në industrinë e dizajnit në tekstil në Turqi dhe më gjerë.

Turqia njihet në mbarë botën për industrinë e saj të fuqishme të tekstilit.

Ajo ka ardhur këtu nga qyteti i Fierit qysh në vitin 1996 si emigrante.

Me vullnet dhe këmbëngulje arriti të merrte arsim të lartë në dizajn për tekstil dhe modë.

Stela Skenderaj ka tërhequr vëmendjen e botës së modës për origjinalitetin që e ka burimin në shfrytëzimin e traditës shqiptare popullore të veshjeve.

Në këtë rast, kostumeve popullore shqiptare, që janë një univers më vete në thesarin botëror, fierakja u ka shtuar kreativitetin dhe estetikën ekstravagante.

Ka dizajnuar veshje si për femra dhe meshkuj, duke u pëlqyer së tepërmi konsumatorëve të epokës globale.

Në Stambollin magjik ajo ka studio-atelienë e modës “Stela Fashion & Emin Tekstil”.

/th. m. “Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

Ndiqni linkun për të parë videon

http://www.kure.tv/kultur/1281-11-turkce-olimpiyatlari-2013/arnavutluk-tarihini-anlatan-elbise-tasarimi/3-Bolum/134010/