VLORE, 2 qershor 2013 -Shpërthim me eksploziv pranë banesës së kreut të Partisë Demokratike të Vlorës, Ardian Kollozi, i cili është njëkohësisht edhe kandidati i katërt për deputet i kësaj force politike në këtë qark. Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit, bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në katin e 10-të të një pallati në lagjen “29 Nëntori” të qytetit bregdetar.
Mësohet se si pasojë e shpërthimit të fortë të lëndës plasëse janë dëmtuar të gjitha dyert e apartamenteve dhe ashensori, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Ngjarja ka shkaktuar panik tek banorët, ndërsa policia nisi hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se po hetohen të gjitha pistat dhe se janë shoqëruar e marrë në pyetje 15 persona. Ndërkohë, shpërthimi me eksploziv në afërsi të derës së banesës së Kollozit ka pasuar me reagimin e dy forcave të mëdha politike, PD dhe PS.
Ndërsa PD-ja akuzon se eksplozivi u vendos nga “falangat e krimit” në kulmin e fushatës elektorale, PS-ja distancohet prerazi nga ngjarja. Nga ana tjetër, vetë kryetari i degës së Partisë Demokratike në Vlorë, Ardian Kollozi, dje deklaroi për “Gazeta Shqiptare” se shpërthimi me tritol ishte një akt i pastër terrorizmi. Ai tha se është super i motivuar, super i karikuar, dhe se po ndjek me vrap fushatën. Kollozi sqaroi se nga mëngjesi deri në orët e pasdites ka marrë 1080 mesazhe.
NGJARJA
Rreth orës 02:50, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët e një pallati pranë kryqëzimit “Rinia”. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Vlorës, persona ende të paidentifikuar kanë vendosur lëndë plasëse (rreth 600 gr tritol) në katin e 10-të pranë portës së parë, e cila të çon në katin e 11-të, ku banon Ardian Kollozi. Nga shpërthimi i fortë janë dëmtuar të gjitha dyert e banesave të dy kateve (disa janë spostuar disa metra), ndërsa 7 apartamente kanë pësuar dëme të mëdha materiale. Në momentin e shpërthimit, banorët e pallatit, përfshirë këtu dhe Kollozin e familjarët e tij, ishin në gjumë. Në vendngjarje shkuan forca të shumta policore dhe specialistë nga Tirana, përfshirë dhe drejtuesit e Sektorit të Krimeve të Rënda. Sipas policisë lokale, po hetohen të gjitha pistat, duke nisur që nga ajo politike, për shkak të detyrës si kreu i ALUIZNI-t, dhe deri te ato personale. Ekspertët kanë sekuestruar të gjitha pamjet filmike të kamerave të pallatit, të bankës, dyqaneve, dhe do të bëhet një këqyrje e imtësishme për 8 pajisje regjistruese. Policia e Vlorës po heton intensivisht për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. I kontaktuar në linjë telefonike pas ngjarjes, kryetari i degës së PD-së së Vlorës, Ardian Kollozi, tha se kjo ngjarje e ka motivuar për të punuar fuqishëm për elektoratin e tij.
Zoti Kollozi, si ndodhi ngjarja?
Për ngjarjen është shprehur në një deklaratë për shtyp dega e PD-së së Vlorës. Aty është sqaruar gjithçka dhe nuk kam se çfarë them më tepër.
Ju ka ndodhur herë tjetër një gjë e tillë?
Jo, ishte hera e parë.
Cili ishte motivi i shpërthimit me eksploziv afër derës së banesës tuaj?
Ju thashë se është prononcuar PD-ja. Megjithatë, po ju them se është një akt i pastër terrorist.
Si e përjetuat ju dhe familja juaj atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm (djeshëm)?
Familja ime nuk është mësuar me gjëra të tilla.
Po ju zoti Kollozi?
Unë jam super i motivuar, super i karikuar. Dhe tani që po flas nuk kam kohë, jam duke vrapuar pas fushatës.
Ju, keni dëshmuar në lidhje me shpërthimin dhe çfarë po bën policia për zbardhjen e ngjarjes?
Normalisht kam dëshmuar. Policia po bën punën e saj.
Mendoni se ky akt terrorist, si e cilësoni ju, do jetë një plus më shumë gjatë fushatës elektorale? E kam fjalën, në lidhje me elektoratin tuaj në Vlorë?
Gjithë demokratët e Vlorës janë solidarizuar me mua. Vetëm sot, nga mëngjesi e deri tani që po flasim (pasdite), unë kam marrë 1080 mesazhe.
/BW/





