Bota në të ardhmen do të jetë vetëm një qytet, thonë shkencëtarët. Në vitin 2030 katër në pesë banorë të vendeve të industrializuara do të jetojnë në ndonjë qendër urbane, ndërsa në vendet në zhvillim çdo i dyti.

E ardhmja e rrjetit për furnizim me energji elektrike "Smart Energy Lab", e Christof Wittwer nga Instituti  për sisteme të energjisë solare në Freiburg tashmë ka filluar. Në një laborator të vendosur në një autobus ai ka vënë sisteme të ndryshme me një qëllim.

"Ne kemi pasur mundësinë që të diskutojmë teknologjitë për furnizimin me energji të shtëpive dhe tani po i shqyrtojmë mundësitë e zvogëlimit të shpenzimeve, të përmirësimit të rrjeteve elektrike dhe termale. Duam të gjejmë mundësitë për ndërtimin e një rrjeti për ardhmërinë“, thotë ai.

Christof Wittwer, drejtor i sistemeve të mençura të energjisë qëndron pranë një trekëndëshi të madh ngjyrë metalike. Kjo është një pajisje për prodhim dhe furnizim me energji dhe me ngrohje njëkohësisht. Në vend të furnizimit me energji përmes përçuesve të ndryshëm, në të ardhmen secila shtëpi duhet të prodhojë energji për nevojat e veta, thotë Wittwer. Këto pajisje do të prodhojnë energji përmes pajisjeve solare apo me erë të vendosura mbi kulm. Ato do të kenë edhe pompa për ngrohtësi në bodrum apo dhe sisteme me energji dhe ngrohje të prodhuara nga druri.

"Këtu në laborator kemi të tilla pajisje të vogla për prodhime të kombinuara me një magazinë për ruajtjen e ngrohtësisë, apo magazinë për ujë", shpjegon Wittwer.

Këto pajisje mundësojnë prodhimin e rrymës elektrike, ndërsa mbeturinat mund të përdoren për ngrohje apo si ujë i ngrohtë. Ato mjaftojnë për një shtëpi apo edhe për një lagje të tërë. Por eksperti pohon se ka dhe shumë gjëra të tjera që mund të realizohen me këtë rrjet inteligjent për furnizim me rrymë apo me ngrohje.

"Ne këtu po flasim për koncepte të ndryshme të prodhimit të energjisë elektrike, të cilat prodhojnë edhe ngrohje dhe mundësojnë ngrohjen e shtëpive. Por po flasim edhe për prodhimin e energjisë dhe ngrohjes në kohën e duhur, kur kemi nevojë për to. Kjo do të thotë se duhet të prodhohen edhe sasi rezervë të energjisë elektrike e cila mbetet në rrjet dhe përdoret kur kemi nevojë gjatë ditës. Ndërsa gjatë natës prodhohet energji e cila nuk shpenzohet por futet në magazina dhe mund të përdoret më vonë.“

Në rrjetin inteligjent elektrik të ardhmërisë duhet të ketë burime të ndryshme të energjisë si dhe magazina për ruajtjen e tyre, që garantojnë edhe një furnizim konstant me energji. Në të kundërtën nuk mund të sigurohet një furnizikm konstant, mund të ketë bllokada dhe madje rënie të sistemeve.

Profesori Bruno Burger është i bindur se sistemet inteligjente mund të aktivizohen edhe vetë në kohërat e krizës së furnizimit me energji. Ai jep edhe një shembull. Në labortatorin me megavatë ai provon të gjitha sistemet dhe pjesët elektronike në rrjetin publik elektrik. Burger është i bindur se këtu mund të krijohen edhe pajisjet e nevojshme për stabilitet dhe qëndrueshmëri të sistemeve. Prova e tij ishte e suksesshme. Bruno Burger thotë se edhe prodhuesit e vegjël të energjisë me erë apo energjisë solare do të kenë mundësinë që në të ardhmen të futen në sisteme automatike dhe të kontrollojnë sistemet e tyre që sigurojnë furnizim të qëndrueshëm.

/DW/