DURRËS, 1 qershor 2013 –Për vitin 2013 sërish fermerët durrsakë dhe krutanë kanë arritur t’i mbushin mendjen shtetit t’i financojë.

U bënë disa vjet që qarku bregdetar ka ditur të përfitojë nga interesimi i qeverisë për rritje e prodhimit të gjelbër, sikurse ka ndodhur edhe këtë vit.

Kështu brenda 5 muajve 386 fermerëve nga Durrësi e Kruja u janë miratuar aplikimet për subvencione, deklarojnë burime zyrtare nga drejtoria rajonale e bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Parashikohet që deri në fund të qershorit, kur është afati i fundit për dorëzimin e kërkesave, mund të shtohen dhe 100 përfitues të tjerë të kujdesit shtetëror, e duke shifrën në rreth 500 të subvencionuar.

Në qarkun Durrës-Krujë ka një bum në prodhimin bujqësor vitet e fundit, kjo dhe në saj të zbatimit nga qeveria të skemave të subvencionimit, gjë që i ka bërë fermerët të lidhen më mirë me tokën.

Durrësi ka kushte të mira tokësore e klimatike, si dhe pozicion gjeografik të favorshëm gjë që i ka bërë fermerët të orientohen drejt prodhimeve bio, aq të kërkuara nga strukturat turistike dhe tregu i huaj.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/