DURRËS, 1 qershor 2013 – Kandidatët demokratë për deputetë në Durrës u bënë pjesë e festimeve të ndryshme me rastin e 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve.

Fillimisht, ata kanë vizituar fëmijët zonës së Spitallës, të cilët kishin organizuar një program të bukur në mjediset e Shkollës 9-Vjeçare “Neim Babameto”.

Kandidatët Eduard Halimi, Igli Cara, Kseanela Myderrizi, Oerd Bylykbashi dhe Mirlinda Çeka ishin të pranishëm dhe ndanë me fëmijët momentet e bukura të ditës së tyre.

Ata kishin zgjedhur ta kalonin disi ndryshe këtë ditë, bashkë me bashkëshortët dhe bashkëshortet, si edhe me fëmijët e tyre, duke iu larguar pak kushtëzimeve të fushatës elektorale. Ndryshe nga ditët e tjera, protagonistë të kësaj ditë qëndruan fëmijët. Pas Spitallës, ata iu bashkuan festës së fëmijëve të shkollës 9-vjeçare “Dom Nikoll Kaçorri”, në zonën e ish-Kënetës. 

Me këtë rast, deputeti i Durrësit dhe ministri i drejtësisë Eduard Halimi, duke iu përgjigjur interesit të gazetës, përshëndeti këtë festë të bukur, duke dhënë edhe angazhimin e tij dhe të Partisë Demokratike për më tepër punë për një të ardhme edhe më të mirë për fëmijët. “Dua t’u uroj gëzuar festën gjithë fëmijëve të qytetit të Durrësit dhe gjithë qarkut të Durrësit. Kjo është një ditë e bukur për ata dhe ne përpiqemi t’ua bëjmë atë edhe më të bukur, duke ndërtuar shkolla e kopshte të reja, duke ndërtuar rrugë më të mira. Fëmijët janë e ardhmja e vendit.”

Në këtë ditë feste të vogëlushëve, kandidatët demokratë për deputetë ishin të pranishëm edhe pranë qendrave që trajtojnë fëmijët me probleme sociale e shëndetësore. Si në Shtëpinë e Foshnjes, në Shkozet, ashtu edhe në Qendrën e Zhvillimit Social, kandidatët zhvilluan vizita dhe ofruan ndihmë materiale për t’ua bërë fëmijëve sa më të bukur këtë ditë.

/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/