“Më 23 qershor votohet dhe për krerët e tri njësive vendore”
TIRANE, 1 qershor 2013 – Më 23 qershor nuk do të votohet vetëm për Parlamentin e ri, por do të jetë edhe ditë për zgjedhjet e pjesshme vendore.
KQZ njoftoi se do të votohet edhe për zëvendësimin e 3 drejtuesve vendorë, që dhanë dorëheqjen kur u bënë pjese e garës për deputetë.
Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së Drilona Hoxhaj
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin nr.8208, 8209 dhe 8210, datë 31.05.2013, ka caktuar datën e zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme, për Kryetarin e bashkisë Bulqizë, qarku Dibër, Kryetarin e komunës Thumanë, qarku Durrës, si dhe Kryetarin e Njësisë Bashkiake nr.1, qarku Tiranë, datën 23 Qershor 2013.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zbatim të Kodit Zgjedhor ka filluar menjëherë marrjen e masave për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore dhe logjistike, për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.
Ky institucion është i angazhuar maksimalisht për të garantuar zhvillimin e procesit zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin, si dhe për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen në datën 23 Qershor 2013.
Gjithashtu, ju bëjmë me dije se në mbështetje të nenit 23/2, pika 2 të ligjit nr. 8580, ‘Për Partitë Politike” i ndryshuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të emërojë me short për çdo parti politike, ekspertë kontabël të liçensuar, të cilët do të auditojnë fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partite politike për vitin kalendarik 2012.
Janë 123 Parti Politike të regjistruara në regjistrin e partive politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të cilat duhet të auditohen për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për vitin 2012 nga ekspertët kontabël të Licensuar.
Instituti i Ekspertëve të Autorizuar ka sjellë pranë KQZ-së listën e përbërë nga 106 ekspertë kontabël të Licensuar të cilët plotësonin kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, 19 prej të cilëve kanë depozituar pranë KQZ kërkesë për pjesëmarrje në short.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton përfaqësuesit e të gjitha forcave politike dhe ekspertët kontabël të garantojnë pjesëmarrjen e tyre në hedhjen e këtij shorti në mbledhjen e datës 03 qershor 2013.





