TIRANE, 1 qershor 2013 – Kryeministri shqiptar Sali Berisha mori pjesë në një aktivitet të organizuar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 1 Qershorit, ditës ndërkombëtare të fëmijëve.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e vuri theksin tek përkujdesi i fëmijëve që u përkasin pakicave, teksa premtoi qeveria do të bëjë gjithçka për një të ardhme më të mirë. 

“Të urojmë fëmijët, të cilët me një përpjekje titanike bëjnë gjithçka për ti marrë jetës atë që u takon. Ju urojmë shumë shëndet dhe gëzime. Të bëjmë gjithnjë e më tepër për ta, që të kenë cilësi arsimi më të mirë, jetë më të mirë.

Do bëjmë gjithçka që ata të arrijnë sa më shumë në përpjekjen e tyre për një jetë normale. Hapa seriozë janë marrë, por hapa të tjetër të rëndësishëm do merren, angazhimi i Qeverisë dhe shoqërisë do jetë gjithnjë e më i madh.

Ekspozita e tyre është gjuha më e bukur me të cilën na adresohen sot. Këtu kam dhe fëmijë të komunitetit rom, këta sot janë të gëzuar por askush s'duhet të harrojë diskriminimin që rëndoi mbi paraardhësit e tyre. Duhet të zotohemi për shumëfishim të forcave kundër diskriminimit të tyre. Kujdesi më i madh duhet adresuar drejt fëmijëve të pakicave”, deklaroi Berisha.

Kreu i PS-së, Edi Rama njëherësh kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës ka përzgjedhur shtëpinë ku strehohen fëmijët jetim të qytetit bregdetar për ti uruar gjithë fëmijëve shqiptar  “Gëzuar 1 Qershorin”. I shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, Rama qëndroi në mes të fëmijëve, të cilët luanin dhe gëzonin. 

“Vendosëm ta festojmë 1 Qershorin, festën tuaj, këtu te jetimorja me dëshirën e madhe duke duke u zotuar se do bëjmë shumë më shumë për ju, për të gjithë fëmijët e Vlorës, për kushte më të mira në cerdhe, kopshte, lagje. Ju jeni një pasuri dhe amanet i përbashkët. Unë ju garantoj se bashkë me xhaxhi Shpëtimin, do të bëjmë akoma më shumë për ju. 1 Qershorin e ardhshëm do ta festojmë prapë së bashku diku tjetër”, tha Rama.

"Sot kemi sjellë ca dhurata për fëmijët e jetimores, janë dhurata që lidhen me atë që duam të bëjmë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Kemi sjellë këto kompjuterë të vegjël dore, këta kanë një të mirë shumë të madhe se fëmijët i mësojnë vetë, s'kanë nevojë për mësues për të mësuar si ti përdorin. Përmes tyre mësojnë edhe shumë gjëra që nga librat mësohet me vështirësi. Tabletat janë ato që ne duam të sjellim një të re të rëndësishme për shkollat e mesme dhe 9-vjeçare brenda katër viteve të ardhshme. Të heqim librat dhe të mbajmë këto tableta për të gjithë procesin shkollor. Këto 30 tableta që kemi sjellë, sot të shërbejnë si guri i parë simbolik i themelit të katër viteve të ardhshme këtu në Vlorë për të gjithë fëmijët e Vlorës. Do vazhdojmë në vijim të pajisim të gjithë nxënësit që të transformojmë të gjithë procesin e mësimit, për t’iu dhënë mundësi të mësojnë me lehtë edhe gjuhët e huaja”, tha më tej Rama.