VLORE, 1 qershor 2013 – Një shpërthim eksplozivi ka ndodhur në derën e banesës së kryetarit të Partisë Demokratike në Vlorë dhe kandidatit të katërt të PD në këtë Qark, Ardian Kollozi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të sotëm, në katin e 12 të pallatit ku banon Kollozi, në lagjen “29 Nëntori”.
Sipas policisë së qytetit bregdetar sasia e tritolit rreth 500 gr është vënë 2 kate më poshtë banesës së tij, në shkallët e katit të 10-të të pallatit.
Policia por edhe autoambulancat mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërsa janë dëmtuar dyert e rreth 7 apartamenteve të pallatit ku banon kreu i PD se Vlorës, Ardian Kollozi, i cili është kandidati i katërt në listën e kësaj partie për zgjedhjet e 23 qershorit.
Në këtë pallat banon dhe i pari në listën e LSI për Vlorën, Shkëlqim Selami. Mësohet se uniformat blu të Vlorës kanë shoqëruar disa persona dhe i ka marrë në pyetje ata në lidhje me ngjarjen e rëndë.





