Beqja: Brenda katër viteve të mandatit të parë do të shtrojmë çdo metër rrugë në komunën Rrashbull dhe do të rimëkëmbim plotësisht komunën tuaj dhe të gjithë Shqipërinë.
DURRES, 30 maj 2013 – Banorët e komunës së Rrashbullit kanë pritur ekipin durrsak të Rilindjes që ka zhvilluar një takim në këtë zonë. Në këtë takim pjesëtarët e ekipit të Rilindjes durrsake shoqëroheshin edhe nga anëtari i kryesisë së PSSH dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako si dhe nga kryetarja e forumit të gruas socialiste për rrethin e Durrësit Alda Kushi.
Kandidati socialist për këtë zonë Shkëlqim Troplini deklaroi se qeveria më kryeministër Edi Ramën do të rimëkëmbë këtë zonë ashtu sic do të rimëkëmbë të gjithë Shqipërinë dhe konkretisht sipas Troplinit qeveria e koalicionit të majtë do të investojë në komunën Rrashbull në asfaltimin jo vetëm të rrugës nacionale por të gjitha rrugëve brenda kësaj zone, do të zgjidhen problemi i kanaleve kulluese dhe do të rilindë bujqësia e do të ulet ndjeshëm papunësia në këtë zonë.
Në takim përshëndeti dhe kreu i Bashkisë Durrës Vangjush Dako, i cili deklaroi se vota për Edi Ramën kryeministër është votë për të ardhmen e gjithë kësaj zone por edhe për të ardhmen e të gjithë Shqipërisë. Në takim e ka marrë fjalën edhe kryetarja e forumit të gruas socialiste të rrethit Durrës Alda Kushi e cila e ka vënë theksin në rolin e rëndësishëm të grave dhe vajzave në rilindjen e vendit.
Kushi deklaroi se Rrashbullit, qarkut të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë i duhet programi i Rilindjes për të nxjerrë vendin nga kriza, për të rimëkëmbur Shqipërinë dhe për të vrapuar drejt ëndrrës evropiane. Nga ana e tij deputeti Blendi Klosi u shpreh se përvec përmirësimit të infrastrukturës në këtë zonë qeveria e ardhshme me kryeministër Edi Ramën do të ketë prioritet punësimin:
"Njerëzit nuk kanë punë dhe papunësia është një gangrenë në familjet e Rrashbullit dhe të gjithë rrethit të Durrësit. Premtimi ynë i madh është punësimi për të gjithë qytetarët e Durrësit dhe të Shqipërisë. Po kështu përveç përmirësimit të infrastrukturës në këtë komunë PS brenda mandatit të parë qeverisës do të përfundojë procesin e legalizimeve."
Në këtë takim e ka marrë fjalën edhe kandidati për deputet Ilir Beqja i cili ka paraqitur para të pranishmëve edhe broshurën e programit të Rilindjes dhe u shpreh se kjo është kontrata e qytetarëve me Edi Ramën kryeministër.
Më pas Beqja deklaroi se vota për PS është votë për të rilindur fshatin dhe të gjithë vendin:
"Në sloganin e PD është fjala "ne jemi ndryshimi". Ku është ndryshimi? Në komunën Rrashbull ujë nuk ka, rrugë nuk ka, legalizim nuk ka dhe ajo që është e rëndësishme punë nuk ka. Pra nuk është ky ndryshimi që na duhet. Ndaj unë ju them votoni PS, votoni numrin 29 sepse kështu ju votoni për veten tuaj, për rilindjen e fshatit. Brenda katër viteve të mandatit të parë do të shtrojmë cdo metër rrugë në komunën Rrashbull dhe do të rimëkëmbim plotësisht komunën tuaj dhe gjithë Shqipërinë."





