KRUJË, 30 maj 2013 – Nga Kruja, ku prezantoi kandidatët e PD-së për deputetë, kryeministri Berisha sulmoi programin e socialistëve, duke e cilësuar si alternativë të shpifjes e mashtrimit. Lideri i PD-së ironizoi sloganin e socialistëve, “Rilindje”, që sipas tij, nënkupton rikthimin në pushtet të neobllokmenëve. 

Sipas kryeministrit, “të quash Koço Kokëdhimën, Fidelin apo Tom Doshin rilindas të shqiptarëve, është si të quash Zani Çaushin Skënderbeun e tyre.” 

“Nga Kruja i bëj thirrje Ramës mos i ofendo shqiptarët. Për shqiptarët rilindësit janë shenjtorët e shqiptarisë. Me rilindjen kupton rikthimin në pushtet të neobllokmeneve. Por e shkuara në Shqipëri nuk do të kthehet kurrë”- deklaroi Berisha. 

Duke iu referuar miratimit të 3 ligjeve të integrimit në Kuvend, kryeministri Berisha tha:

“Zoti Edi Rama me një akt më të papërgjegjshmin bllokoi statusin e vendit kandidat. A mundet një shqiptar tu bënte shqiptarëve këtë që bëri Rama. Te nderuar socialistë të Krujës dhe mbarë Shqipërisë le t’i shtrojnë pyetjen, çfarë ndodhi që i votove sot pas 236 ditësh. A nuk tha se po i bllokoi për Fierin, çfarë do tu thuash sot qytetarëve të Fierit që s’kishe arsye për të mos i votuar por spekulove me emrin e tyre për interesa personale”. 

Ndër të tjera, kryeministri përmendi arritjet e qeverisë së tij gjatë 8 viteve në pushtet, ndërsa theksoi vendosmërinë për të vijuar reformat e investimet për punësimin dhe mirëqenien e shqiptarëve. 

“Sot Shqipëria ecën në rrugën e zhvillimit. Shqipëria e zhvilluar është qëllimi ynë më madhor. Ja dolëm të rrisim ndjeshëm rrogat e pensionet, luftuam varfërinë, ja dolëm në një hark kohor të shkurtër që të ardhurat për frymë të dyfishohen. Do vazhdojmë të bëjmë çdo gjë për mirëqenien tuaj, punësimin tuaj. Alternativa jonë është rruga e integrimit. Së shpejti do marrim statusin e vendit kandidat. Do hapim negociatat për vend anëtar në bashkimin evropian.”- u shpreh Berisha. 

Duke theksuar se ai nuk i harron kurrë premtimet e tij, kryeministri i garantoi qytetarët e Krujës për ndërtimin e rrugës Krujë-Tiranë, brenda 2 viteve të para të mandatit që vjen. 

EDUARD HALIMI: RAMA I PAPËRGJEGJSHËM I ÇORODITUR 

Ndërsa kandidati tjetër, Eduard Halimi është shprehur se alterantiva e PD, ajo e integrimit ka përballë alternativën e dështimit, që sic tha ai përfaqësohet nga kreu i PS, Rama. 

“Alternativa e Berishës është për të ecuar para, ndërsa tjetra është alternative e një të papërgjegjshmi e të çorodituri si Rama. Ai është kundër zhvillimit. I tha sot jo amnistisë fiskale sepse është kundër uljes së taksave. Ai i thotë po gjithmonë rritjes së taksave si kur ishte kryetar bashkie, ai shpikte taksa të reja. Ai është rritës serial i taksave, vrasës serial i vendeve të punës”, tha Halimi. 

Sipas tij, Rama e ka të shkruajutr në ballë dështimin e tij më 23 qershor. “Ai ka alternativën e dështimeve, grevave të urisë dhe bojkoteve. Dështimin dhe humbjen e ka të shkruajtur në ballë”, tha Halimi ndër të tjera. 

STRAZIMIRI: NË KRUJË MARRIM 8 DEPUTETË 

Në fjalën e tij, kandidati për deputet në Krujë Gent Strazimiri u shpreh se banorët e këtij qyteti kanë mundur ta prekin ndryshimin që ka bërë qeveria. 

“Berisha dhe qeveria e tij kanë punuar shumë për Krujën, ju mund të prekni ndryshimin. Janë krijuar 200 mijë vende të reja pune, kjo e vërteta që askush nuk mund ta mohojë”. 

Strazimiri i ka kërkuar banorëve të Krujës t’i kthejnë reston kreut të PS-së, Rama që sipas tij, bllokoi për më shumë se 3 vjet 3 ligjet e integrimit të cilat u votuan sot për 3 minuta. 

“Edi Rama kishte në dorë tre ligje, votimi i të cilave u krye në 3 minurta, kthejani reston, lajini hakun Ramës më 23 qershor. Ne do marrim deputetin e 8-të në Krujë”, tha ai.