TIRANE, 30 maj 2013 – Miratohen në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të Shqipërisë tre ligjet e integrimit, ku përfshihen Projektligji për Nënpunësin Civil, Projektligji për Gjykatën e Lartë dhe Reforma Parlamentare.
Këto tre ligje morën edhe votën e opozitës, pasi u pranua kushti i tyre për futjen në fuqi në legjislaturën e ardhshme. Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 67 vota pro shtyrjes së amnistisë deri në dhjetor të vitit 2013.
Pas përfundimit të seancës së fundit plenare të kësaj legjislature, ambasadori i OSBE-së Eugen Wolfarth shprehu vlerësimin e tij për miratimin e tre ligjeve.
"Kjo është një ditë lehtësuese për të gjithë shqiptarët. Miratimi i tre ligjeve tepër të rëndësishme për Shqipërinë është një hap shumë i rëndësishëm për këtë vit vendimtar për vendin", ka thënë Wolfarth.
Seancën e jashtëzakonshme e ndoqi prej fillimit të saj edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.





