SHKODER, 30 maj 2013 – Kryetari i PS Edi Rama deklaroi në komunën Bushat në qarkun e Shkodrës, se me 23 qershor, pushteti i Berishës do të marre voten e ndëshkimit, pikërisht në bastionet e PD. Në takim me banorë të kësaj komune, Rama akuzoi drejtuesit e ministrisë së Brendshme si përgjegjës për rritjen e kriminalitetit në vend, duke premtuar se me ardhjen në pushtet do të rivendoset ligji.
"300 ditët e para të qeverisjes ne do të hapim një luftë madhore krimit, do ta zmbrapsim krimin, dhe do rivendosim ligjin. Individi dhe prona do të jenë të paprekshme ashtu sikundër e thotë dhe Kushtetuta e Shqipërisë", tha Edi Rama, kryetar i PS.
Ulja e taksës për biznesin, sipas Ramës është një ndër masat që do të marrë PS për të ndalur atë që kreu i opozitës e quan rrënim i Shqipërisë nga keqqeverisja e mazhoranës demokrate..
"Do të marrim përsipër ta ndalim rrënimin dhe ta ndalim papunësinë, duke filluar punën për punësimin real të njerëzve. Do të marrim përsipër ta lehtësojmë biznesin e vogël nga taksat dhe ti japim biznesit të madh mundësinë që të zhvillohet dhe të rritet", tha Rama.
Kryetari i opozitës, tha se PS ka një program për të rilindur vendin dhe fshatin, per t'i dhënë mundësinë çdo shqiptari që te jetoje me pune te ndershme e me pune te ndershme te beje leke. Ai përsëriti premin për investime në shumën 160 milionë dollarë për sistemin e vaditjes.





