DURRES, 30 maj 2013 – Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Igli Cara, zhvilloi takimet e radhës në Spitallë, në kuadër të fushatës elektorale.
Igli Cara u takua me banorët e zonave të njohura, si: ish-reparti i tankeve dhe zona e tre çesmave, ku u njoh me problemet e tyre.
Mungesa e infrastrukturës rrugore, që lidh këto lagje periferike me pjesën tjetër të qytetit dhe mungesa e një rrjeti ujësjellësi për furnizimin me ujë të pijshëm, ishin dy nga shqetësimet e mëdha të banorëve të këtyre zonave.
Për këtë të fundit, kandidati për deputet Igli Cara premtoi se, në harkun kohor të dy javëve, këto familje do të kishin mundësi të furnizoheshin me ujë të pijshëm 24 orë.
Gjatë takimeve në zonën e Spitallës, duke përmendur arritjet e qeverisë në këto tetë vite, Igli Cara ju tha banorëve se rotacioni politik, që aq shumë artikulohet në këto prag zgjedhjesh, është i pakuptimtë, kur përballë Partisë Demokratike qëndron një forcë politike dhe lideri i saj, i cili ka treguar se është i papërgjegjshëm.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





