Në foto: Bisht-Kamzë, 29 maj 2013, drejtues të bujqësisë në Durrës, tregtarë e specialistë kontrollojnë parcelat për eksport

DURRËS, 29 maj 2013 –Tokat e Durrësit ëmbëlsojnë me shalqi banorët e shtetit baltik të Lituanisë, ndërkohë që një fermer e hedh në treg këtë frut një muaj e gjysmë më herët se tradita në vite.

Fillimi i muajit qershor në Durrës shënon edhe daljen për herë të parë në treg të prodhimit të shalqirit si dhe fillimin e eksportit të këtij artikulli bujqësor drejt vendeve evropiane.

Prodhimet e para i ka nxjerrë një emigrant i kthyer nga Greqia dhe që ka marrë me qira tokë në Bisht-Kamzë, në komunën e Katundit të Ri.

Ai ka përfituar nga subvencionet shtetërore dhe, duke përdorur teknologjinë e avancuar, ka arritur të nxjerrë në treg edhe prodhimet e para.

Në parcelat e tij ishin edhe tregtarët e huaj të interesuar për këtë prodhim mjaft cilësor.

Drejtori Rajonal i Bujqësisë për qarkun e Durrësit Jonuz Tafili ka thënë për televizionin lokal të qytetit bregdetar “Adrianet” se ky artikull ka dalë në treg rreth një muaj e gjysmë më herët, krahasuar me traditën dhe se janë nënshkruar edhe kontratat për eksport.

Ndërkohë Tafili thotë se 5 fermerë kanë përfituar subvencione nga shteti për plastmasën e zezë dhe zhvillimin e fidanëve në tunel si dhe për vaditjen me pika që kanë aplikuar.

Pronari i parcelave të shalqirit Qemal Lamallari tregon se sipas përvojës së fituar duke punuar 15 vite në vendin fqinj, ka vendosur të kthehet dhe të investojë në atdhe.

Ai është optimist me punën e deritanishme dhe kërkesat e tregut të huaj.

Eksporti i parë i këtij artikulli drejt Lituanisë, shtet në Baltik, nis më 1 qershor.

Agronomi i zonës Martin Pllana tregon për asistencë materiale dhe shkencore që i është dhënë fermerit për të përballuar sfidat e tregut.

Sheqeri që ndodhet në këtë prodhim është në nivelin 8.2, ndërsa për dy ditë ai arrin në parametrat 9, brenda kërkesave të tregut për konsum.

Në rrethin e Durrësit janë rreth 5 fermerë që kanë përfituar subvencione dhe janë gati të dalin në treg.

Fermeri Lamallari është optimist se do të nxjerrë për eksport rreth 400 kv shalqi të cilësisë së parë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/