Lideri i Al-Kaedës, ose siç njihet ndryshe "terroristi numër një" Osama bin Laden, jetës së tij i ka dhënë fund në mënyrë heroike – me vetëvrasje, thotë truproja e tij personale Abdul Fatah, shkruan DailyMail.

Abdul Fatah në intervistën e dhënë për gazetën e Emirateve të Bashkuara Arabe "Gulfnews" thotë se e "vërteta" për vdekjen e ish-shefit të tij, sipas tij, paraqet një përhapje e versioneve të rreme për vrasjen e liderit të Al-Kaedës nga ana e forcave speciale amerikane.

Bin Laden ka kryer vetëvrasje duke aktivizuar "rripin shadika" ose "rripin e martirizimit" nga i cili nuk është ndarë dhjetë vitet e fundit të jetës së tij, thotë Abdul Fatah, ish-lideri i organizatës xhihadiste në Egjipt, ndërsa më vonë edhe truproja personale e Bin Ladenit.

Fatah thotë se të vërtetën e ngjarjeve të 2 majit të vitit 2011, e ka dëgjuar nga një i afërm i Osamës. Sipas tij, Bin Laden ka kryer vetëvrasje që amerikanët mos ta kapin të gjallë.

"Varrimi i Bin Ladenit në det, për të cilën shumë është përfolur, është gënjeshtër. Edhe Barack Obama gënjente kur fliste për këtë. E vërteta është se lideri i Al-Kaedës hodhi veten në erë dhe trupi i tij është bërë copë-copë", thotë Abdul Fatah duke shtuar se Osama këtë e ka bërë qëllimisht që mos t'ua mundësojë amerikanëve që ta identifikojnë.

Sipas tij, lideri i Al-Kaedës, dhjetë vitet e fundit vazhdimisht e ka mbajtur me vete rripin vetëvrasës, pajisje eksplozive e punuar në dorë që lidhet rreth belit.

Truproja beson se amerikanët kanë dashur që Osamën ta kapin të gjallë, edhe atë e kanë plagosur në këmbë, por ai ka arritur ta aktivizojë rripin me eksploziv.

Kjo histori e tij është në kundërshtim me atë të veteranit të ushtrisë amerikane me pseudonimin Mark Oven, i cili ka qenë një ndër të parët që kanë hyrë në katin e tretë ku është strehuar Bin Laden në Abotabad të Pakistanit, i cili në kujtimet e tija thotë se "Nuk ka qenë ditë e lehtë", dhe thekson se ai personalisht e ka qëlluar Bin Ladenin derisa ai ishte shtrirë në tokë.

Trupi i Bin Laden, sipas deklaratës nga Washingtoni, është hedhur në det. Operacioni për vrasjen e Bin Laden, nga autoritetet zyrtare të SHBA-së, deri më sot, ende nuk është zbardhur.