DURRËS, 29 maj 2013 – Një i ri ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në hyrje të qytetit bregdetar të Durrësit, pranë Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën.
Një motoçikletë është përplasur me një automjet tip “Ford” ngjyrë gri me targa AA 089 AH, teksa lëvizte në aksin rrugor Stacioni i trenit – Ura e dajlanit.
Për pasojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i motoçikletës.
Burime nga policia thanë se viktima është 26- vjeçari Erblin Jashari me banim në Shkozet.
Shërbimet e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pas kryerjes së veprimeve të para proceduriale kanë mundur të zhbllokojnë lëvizjen.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia në drejtim dhe një parakalim i gabuar nga njëri prej mjeteve.
Policia deklaron se ka shoqëruar drejtuesin e automjetit, shtetasin Arbër Dogani, 25 vjeç, banor i lagjes 4 të Durrësit, ndërsa vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe pozicionin e secilit në këtë aksident tragjik.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





