Kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha iu drejtohet anëtarëve të rinj duke thënë se tashmë ata kanë besimin e qytetarëve dhe përgjegjësinë për të luftuar pranë tyre.

Gjithashtu Basha shkruan se Këshilli i ri Kombëtar do të jetë ura e bashkëpunimit mes PD dhe shoqërisë për të ngritur më pas, atë që ai e quan, Platformën Qytetare për Demokracinë.

Postimi i plotë i Bashës:

Mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar përfaqësuan demokratët anembanë Shqipërisë. Suksese Këshillit Kombëtar të përzgjedhur!

Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.

Sfidat që kemi përpara janë te mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu.

Këshilli i ri, i hapur për më shumë zonja dhe zonjusha, më shumë të rinj dhe të reja, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë, sepse ne jemi e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim.