DURRES, 29 maj 2013- "Detyrim Paraqitje" për Ardit Hyskën, i arrestuar më 24 prill si autor i dyshuar për vrasjen e Refik Lilës, është ky vendimi që ka marrë gjykata e Durrësit në rivlerësimin e masës së sigurisë.

Avokati i Hyskës, Ilia Ilia, kërkoi nga trupi gjykues rivlerësim të masës së sigurisë, pasi organi i akuzës nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbajtur të arrestuar Hyskën për vrasjen e Refik Lilës, duke kërkuar një masë sigurie më te lehtë.

Kërkesa e avokatit mbrojtës është pranuar edhe nga prokurori i çështjes Drini Pali, i cili ka pohuar se pas arrestimit të Taulant Gjinit, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjes, akuza nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbajtur në burg Hyskën, duke vendosur masën e sigurisë "Detyrim Paraqitje".  

Pasi ka dëgjuar palët trupi gjykues i kryesuar nga Shpëtime Pitaku, vendosi masën e sigurisë "Detyrim paraqitjeje" për Hyskën duke kërkuar lirimin e menjëhershëm nga salla e gjyqit.  Hyska, u arrestua nga policia pasi dyshohej si autor i vrasjes së Refik Lilës, ngjarje e ndodhur më 24 prill në lagjen numër 18 Durrës.

NGJARJA

Vrasja ndodhi një muaj më parë në qytetin e Durrësit, pas stadiumit “Niko Dovana”, kur viktima 27 vjeçari Refik Lila, ndodhej në lulishten para një blloku pallatesh në këtë zonë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se viktima është konfliktuar me një person me kapele, pasi ka zbritur nga automjeti “Ford Focus” me targa të huaja. Në konflikt e sipër, debatuesi ka qëlluar mbi të dhe është larguar më pas me një automjet që, sipas dëshmitarëve, ka qenë i tipit “Mercedes Benz”. Shërbimet e policisë arrestuan pak orë më pas 28-vjeçarin Ardit Hyska.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/