Tiranë, 29 maj 2013 – Kryeministri Berisha ka kthyer në vëmendje Korridorin 8, një projekt mjaft i rëndësishëm paneuropian i lënë në harresë për shkak të angazhimeve të pakta qeveritare, si dhe fondeve mbështetëse, ndërsa fqinjët kanë qenë më të interesuar për zhvillimin e korridoreve 10 dhe 4.

Duke përshëndetur punimet e konferencës rajonale me temë “Sfidat e Sigurisë Detare në Adriatik dhe Jon”, e cila po zhvillohet në Tiranë dhe organizohet nga Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe Mbrojtjes në bashkëpunim me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, kreu i ekzekutivit shqiptar tha:

“Prej 20 vitesh diskutohet Korridori 8-të, i cili është rruga natyrale e njerëzimit. Kur them njerëzimin, domethënë  2 kontinenteve dhe të tjera. E vërteta është që ai Korridor është segment i Egnatias, por është në një mënyrë dhe segment i rrugës së Mëndafshtë. Unë ftoj që të bëjmë gjithçka për ndërtimin e tij. Qeveritë e vendeve tona, pavarësisht nga vështirësitë, duhet ta ndërtojnë atë korridor. Duhet ta ndërtojmë atë Korridor si një Korridor zhvillimi, promotor zhvillimi të fuqishëm për vendet e tyre, por edhe për rajonin dhe më gjerë.”

Sipas kryeministrit, ky rajon ka potenciale të jashtëzakonshme, por më shumë se në çdo rajon tjetër mungojnë projektet e mëdha evropiane.

“Konsolidimi i konceptit do të bindë vendimmarrësit se zhvillimi i këtij rajoni është interesi jetik më i mirë i të gjitha rajoneve të tjera të Evropës, pasi këtu potencialet janë ndoshta më të mëdha se kudo, por këto janë për t’u shfrytëzuar dhe për t’u zhvilluar”.

 Më tej, ai u shpreh se antarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë më të sigurtë rajonin:

“Uroj dhe dëshiroj që vendet fqinje të rajonit, të ecin me hapa të shpejta dhe kanë mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit të tyre në Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka vetëm do ta bënte rajonin më të sigurt dhe do të ishte një hap i rëndësishëm në sigurinë e mëtejshme të krahut juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut." 

Në këtë konferencë merrnin pjesë dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, Presidenti i Fondacionit “Alcide De Gasperi” dhe President i Shoqërisë Italiane për Organizatat Ndërkombëtare z. Franko Frattini, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, i Kosovës, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, si dhe të ftuar të tjerë. 

/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/