– Vizitë “bis”, zyrtari nga Uashingtoni ka qenë në qytetin bregdetar para 20 vjetësh
– Faktori “Berisha, diplomati i lartë amerikan me një qëndrim as “mish as peshk” për KQZ-në
DURRËS, 29 maj 2013 – Vizitë surprizë në Durrës e zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, për faktin se nuk ishte njoftuar në agjendën e tij, por befasia shkon më tej teksa z. Xhonatan Mur (Jonathan Moore) bëri të ditur se udhëtimi drejt Durrësit ishte i dyti në harkun e 20 vjetëve.
Zëdhënësi i bashkisë së Durrësit, gazetari Dorian Agolli, thotë se më 29 maj 2013 kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako ka pritur në një takim, kokë më kokë, pa praninë e medieve, drejtorin e Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit z. Xhonatan Mur.
Ndryshimet
Në këtë takim është diskutuar gjerësisht për prioritetet e bashkisë së Durrësit në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve.
Nga ana e tij kryebashkiaku Vangjush Dako i ka bërë një përshkrim të hollësishëm zyrtarit të lartë amerikan mbi resurset që ofron Durrësi në shumë plane, si ekonomike ashtu edhe turistike.
Dako ka pohuar se Durrësi pas 20 vitesh “është një qytet tjetër pasi ritmet e zhvillimit kanë qenë shumë të lartë dhe pavarësisht problemeve të ndryshme e rëndësishme është që ky zhvillim ka qenë në kahun pozitiv”.
Z. Mur i tha bashkëbiseduesit të tij se shpreson që qyteti të zhvillohet si një nyjë e kryesore tregtie për Ballkanin.
Diplomati i lartë citohet t’i ketë thënë Dakos: “Kam qenë në Durrës përpara 20 vitesh dhe tani jam i kënaqur që u riktheva sërish ku qyteti sot ka pësuar shumë ndryshime. Durrësi është qytet me rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe si një qytet port ka rolin e tij në rajon. Prandaj ne shpresojmë që qyteti të zhvillohet sa më shumë si një nyjë tregtare. Të rëndësishme nuk janë vetëm kryeqytetet, por edhe qytetet e tjera të rëndësishme që kanë peshë në zhvillimin e vendit. Ne kemi një respekt shumë të madh për kryetarët e bashkive sepse ata përballen me problemet e njerëzve çdo ditë gjatë punës së tyre”.
“Cic-mic” qytet-qeveri
Dako ka zbrazur para z. Mur të gjitha problematikat dhe përplasjet politike në bashki PD-në.
Në takim është diskutuar gjerësisht për marrëdhëniet midis pushtetit qendror dhe atij vendor, mbi bllokimet që i bëhen qytetit për arsye politike.
Jashtë vëmendjes nuk kanë mbetur as zgjedhjet e 23 qershorit dhe situatën parazgjedhore.
Nga ana e tij, Dako ka nënvizuar faktin se vizita në Durrës e zyrtarit të Uashingtonit ndodh në një moment kyç për vendin siç janë zgjedhjet parlamentare, duke vënë në dukje rolin shumë të madh të SHBA-së për të pasur “zgjedhje sa më të drejta dhe të lira”.
“Kur s’ke pulën, ha sorrën”
Nga ana e tij z. Mur, pas takimit, ka bërë një deklaratë për mediet në shkallët e bashkisë, kur u pyet nga gazetarët lidhur me KQZ-në, pas takimit me Kryeministrin z. Sali Berisha.
Z. Mur tregoi se i kishte “shprehur kryebashkiakut Dako pikëpamjet tona për zgjedhjet dhe mbi faktin se ato janë mjaft të rëndësishme”.
Për njeriun e Uashingtonit “situata më e mirë do të ishte që KQZ të ishte me 7 anëtarë”.
Por deklarimi i mëtejshëm i z. Mur ishte tejet evaziv, si i thonë fjalës “as mish as peshk”:
“Ne shpresojmë që kjo [KQZ-ja me 7 anëtarë] do të ndodhë, ndërkohë që për momentin janë vetëm 4 anëtarë aktivë në KQZ. Kjo mund të zgjidhet shpejt por mund edhe të mos zgjidhet shpejt, por SHBA do t’i japin një vëmendje tejet të shtuar të gjithë procesit të zgjedhjeve”.
Nga ana tjetër, drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, me sa duket, ka pasur parasysh idiomën shqiptare që kur s’ke pulën (KQZ-në me 7 anëtarë), ha sorrën (kolegjin zgjedhor), kur pohoi:
“Ka institucione të tjera që kanë një rol të rëndësishëm siç është kolegji zgjedhor dhe ne duam që votuesit shqiptarë të jenë besimplotë me institucionet që merren me menaxhimin e zgjedhjeve dhe ne do ta ndjekim me shumë vëmendje jo vetëm 23 qershorin por edhe të gjitha ditët në vijim”.
/e. a., th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





