TIRANE, 29 maj 2013 – Kandidati i parë në listën e LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo pretendon se individë të caktuar, pjesë e strukturave të PS-së dhe PD-së në këtë qark, kanë për qëllim të eliminojnë LSI-në nga Gjirokastra. 

Në një deklaratë për mediat, deputeti Tavo ka denoncuar ato që i konsideron si afera politike mes individëve të strukturave të PS-së dhe PD-së, që sipas tij janë përfshirë në pazare, në mënyrë që LSI të mos marrë asnjë mandat në këtë qark. 

Sipas Tavos, eksponentë të PS-së dhe PD-së janë takuar në Tepelenë dhe Dropull, në mënyrë të fshehtë, me qëllim bërjen e pazareve për të vjedhur votat kundrejt LSI-së, në favor të PD-së. 

“Në disponojmë për këto afera edhe materiale publike. LSI do të vijojë të punojë për elektoratin e tij, pasi kjo është një force në koalicion dhe pretendimi është fitorja e së majtës. Në këto veprime ne vemë re dhe marrim përgjigje lidhur edhe me zgjedhjet e 2009-ës, ku votat e së majtës janë shitur fshehtas në Pallatin e Sportit, në ndihmë të kandidatit të Partisë Demokratike”,- deklaroi Tavo. 

Sipas Tavos, individë të PS-së dhe PD-së pretendojnë që rezultati politik i zgjedhjeve të 23 qershorit të jetë 3 me 2, çka nënkupton tre deputetë të PS dhe dy të PD. 

“Për këtë arsye ne do të bëjmë publike takimet edhe pazaret e fshehta dhe presim për të gjithë denoncimet reagimin e lidershipit të PS-së Edi Rama”,- deklaroi Tavo.