Ekspozita “Autoportret”, në Galerinë FAB, propozon modën e fundit me veshje të realizuara me thasë çimentoje, CD, lugë plastike, gazeta etj.
TIRANE, 29 maj 2013 – Asgjë nuk përfundon në kosh. Gjithçka mund të kthehet në art, mjafton pak fantazi dhe nga thasët e çimentos, lugët plastike, CD apo mbeturinat e një fabrike këpucësh mund të dizenjosh një fustan mbrëmjeje, një fund, madje dhe kapele. Me faqen e fundit të gazetave ku të jepet mundësia të vrasësh kohën me lloj-lloj fjalëkryqesh, studentët e Akademisë së Arteve kanë realizuar portretin e një nudoje. Në ekspozitën “Autoportret”, që është çelur në Galerinë FAB, pedagogia dhe kuratorja Najada Hamza prezanton punët e studentëve të vitit të dytë dhe të tretë të ateliesë Tekstil-Modë.
Kjo ekspozitë është ndërtuar në dy pjesë. Në pjesën e parë, Hamza prezanton punët e studentëve të vitit të dytë, si një rrugëtim i tyre në njohjen e vetvetes.
“Autoportreti vjen si një formë popullore e shprehjes qëkurse njeriu pa shëmbëlltyrën apo thënë ndryshe, reflektimin e tij në pellgun me ujë, aty ku Narcisi mbytet i mahnitur nga imazhi i vet reflektuar mbi sipërfaqen e pellgut. Shumë më vonë Chagall nuk do të përdorte pasqyrën, por do të tregojë bukur përrallën dhe historinë që mbart brenda tij, e arti do vazhdojë rrugëtimin mes portretit, shëmbëlltyrës, ndjesisë së shpirtit! Ne sot do ta ndryshojmë atë imazh të drejtpërdrejtë të shëmbëlltyrës dhe pasqyrës, duke udhëhequr artistin drejt vetes, si një histori që tregohet në forma të ndryshme, e duke thyer përfundimisht tabutë e mediumit”,- thotë kuratorja Najada Hamza për studentët e saj.
Por pjesa më interesante e kësaj ekspozite janë veshjet e realizuara nga studentët e vitit të tretë me materiale të riciklueshme. Një atelie e vërtetë mode.
“Me materiale të ricikluara, së bashku kemi përshkruar një rrugë të gjatë propozimesh, projektesh e procesesh. Studentët kanë patur lirinë për të zgjedhur konceptin e veprës, duke shfrytëzuar të gjitha aftësitë teknike e duke u ndalur në tema të ndryshme, të cilat do të afronin paradoksalisht barocque-n me botën nënujore, historinë e ëndjes me kalorësit dhe emblemat mesjetare, ashtu sikundër qëndismat e Zadrimës me elegancën e veshjeve të Velasquez”,- thotë Hamza.
Me këto punime studentët tentojnë t’iu bashkohen përvojave eksperimentale të avangardës, ku përdorimi i materialeve të riciklueshme gjen gjithnjë e më shumë vend në modë dhe në artin e tekstilit.
“Veprat e ndërtuara nga studentët janë ngritur mbi platformën e mohimit të origjinës së materialit fillestar, por duke e njohur historinë e tij dhe rrugëtimin, duke e ruajtur dhe ushqyer riprocesimin ideor si dhe material për të mbërritur në veprën e artit. Produkti i Riciklimit është vepra ku historitë personale ngrihen mbi historitë e materialeve të ricikluara, duke besuar që në thelbin e tij arti është autobiografik. Ne jemi përpjekur të zbulojmë thelbin e këtij procesi duke e parë riciklimin jo vetëm si riprocesim të materialeve të vjetra në produkte të reja, por edhe si një shqetësim themelor për shoqërinë ku jetojmë. Shumë nga punët e propozuara në ekspozitë janë instalime konceptuale, ku narracioni është herë metaforik e herë literal, të tjera synojnë performancën e të tjera synojnë estetikën realtuese, ku dhe ndërveprimi midis shikuesit dhe veprës së artit është i drejtpërdrejtë. Natyra e krijimi të vërtetë është rebelimi ndaj asaj që ka qenë ndaj zakonit, qëndresës dhe kufirit të asaj që përbën njohjen. Arti është nevojë, është një udhëtim drejt së panjohurës”,- shpjegon punët e studentëve të saj kuratorja Najada Hamza.
Arti i riciklimit konsiston në realizimin e veshjeve me materiale të riciklueshme, që normalisht çdonjëri prej nesh do të hidhte në kosh.
/Mapo/





