TIRANE, 29 maj 2013 – “Allahu e di se pse vajza ime vrau veten. Shpirti i saj e di se çfarë kishte”. Këto janë fjalët e babait të 18-vjeçares Sirie Gjana, e cila, mesditën e së premtes vendosi që të vetëvarej duke u larguar përfundimisht nga kjo jetë. Lavdrim Gjana rrëfen për “Gazetën Shqiptare” momentin kur e gjeti vajzën e tij të vetëvarur dhe sqaron në të njëjtën kohë edhe raportet që kishte vajza e tij me të fejuarin e saj. “Ata shkonin mirë me njëri-tjetrin, nuk kishin konflikte. Ne i kishim prerë edhe ditën e dasmës”, – pohon babai i 18-vjeçares. Por, dhimbjen më të madhe për humbjen e vajzës e ndjen nëna e saj, Flutura. 42-vjeçarja kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me vajzën e saj, por asnjëherë nuk ka kuptuar tek ajo diçka që të dyshonte për vetëvrasje. 
 

Ku ishit ditën që ka ndodhur ngjarja?

Babai: Isha bashkë me gruan në spital në Tiranë. Ka qenë ditë e premte. Unë e gjeta trupin e saj të varur dhe u mundova që ta hiqja me shpejtësi, por çdo gjë kishte marrë fund. Nëse do kishim shkuar më shpejt në shtëpi, do të kishim mundur që ta shpëtonim. 
Nëna: Kishim shkuar që të merrnim analizat e mia. Por, nuk e di se çfarë kisha, sikur e parandjeva diçka dhe u nisa për në shtëpi. Kur erdhëm këtu, e kërkuam vajzën dhe nuk e gjetëm. Edhe rrobat që ka qenë duke i nderur, i kishte lënë përgjysmë. E gjetëm të varur me litar në kasollen e lopës. 
 

Po pse mendoni se vajza juaj ka arritur deri në vetëvrasje?

Babai: Nuk e dimë se çfarë mund të ketë pasur, vetëm Allahu dhe shpirti i saj e dinë se çfarë ka pasur. 
Nëna: Unë kam qenë shumë e lidhur me vajzën time, por ajo nuk kishte shfaqur asnjë shenjë dyshuese për ne. Ishte vajzë e heshtur, punëtore, ishte vajzë me norma. Edhe kur na fliste, nuk na shikonte në sy. Mua nuk më kishte thënë që kishte ndonjë gjë. 
 

Si është e vërteta e fejesës së saj?

Babai: Kishte katër muaj që ishte fejuar me mblesëri, por me dëshirën e saj. Ata të dy u panë dhe u pëlqyen, dhe ne hapëm fejesën. Madje një ditë para se ajo të vetëvarej, ne premë ditën e dasmës. Martohej në janarin e vitit që vjen. Ishte e gëzuar, kishte nisur edhe pajën. 
 

Sa vjeç ishte djali me të cilin ajo ishte fejuar?

Më duket se 28, por s’e di me saktësi. Ai jetonte në Greqi. 
 

Vajza juaj, shkonte mirë me të fejuarin, pasi thuhet se ajo nuk ka dashur që të fejohej me atë?

Babai: Nuk është e vërtetë që ajo nuk ka dashur. Nëse nuk donte ajo, ne nuk prisnim ditën e dasmës, ajo nuk bënte pajë. Unë nuk di që vajza ime të kishte konflikte me të fejuarin e saj, ajo nuk na ka thënë ndonjë gjë. 
 

A ju ka lënë ndonjë shënim vajza për t’ju shpjeguar se pse po e bënte këtë veprim?

Nëna: Nuk ka lënë asnjë shënim, asnjë letër. Unë që atë ditë kërkova në gjithë shtëpinë, në gjithë rrobat e saj, për të parë nëse më kishte lënë një shënim apo një letër për të më thënë se pse po ikte nga kjo jetë, por nuk gjeta asgjë. Edhe sot nuk e di se pse vajza ime e bëri atë veprim. 
 

Po të fejuarin e vajzës, e keni pyetur nëse kanë pasur ndonjë konflikt së fundmi?

Babai: Po, normal që e kam pyetur. Fola në telefon atë ditë që ndodhi kjo, sepse ai nuk erdhi dot në varrim. Më tha: “U mërzite për vajzën?” “Po”, – i thashë. “Të të rrojnë fëmijët”, – më tha. “Po pse e bëri vajza këtë?” – më pyeti. “Nuk e di”, – i thashë. Kjo ka qenë biseda me të. 

/BW/