DURRËS, 28 maj 2013 –Partia Republikane ka prezantuar më 28 maj kandidatët e saj për deputetë në qarkun e Durrësit.
Ish-ministri socialist i Bujqësisë, Agron Duka mori vlerësime maksimale nga kreu Fatmir Mediu, i cili tha se, PR-ja është krenare që do të çojë në parlament një mbrojtës të pakompromis të interesave të banorëve të kësaj zone.
“Çdo individ , çdo njeri i lirë ka një vlerë absolute, por njerëzit si, Agron Duka kanë një vlerë akoma më të madhe, sepse janë njerëz që duan dhe bashkohen me republikanë, socialistë, demokratë, me dhe pa parti, dhe Partia Republikane është krenare që do ta çojë në parlament”- tha Mediu.
Mediu tha se e djathta është duke ndryshuar Shqipërinë, ndaj dhe duhet votuar me 23 qershor.
“Ne kemi qenë dhe jemi të bindur se në vitet 90-të kemi kërkuar Evropën dhe sot punojmë më shumë se kurrë për ta arritur këtë për çdo shqiptar.”- theksoi kreu i PR-së.
INFO/ “Gërdeci” në Strasburg, jo falje Mediut
Të plagosurit rëndë nga shpërthimi i Gërdecit i drejtohen përsëri Gjykatës të së Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke u shprehur kundër përfshirjes në amnistinë e 100-vjetorit të Pavarësisë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Gjykata e Lartë, më 1.3.2010, vendosi të pushojë gjykimin, pasi nuk gjendeshin arsye apo prova të mjaftueshme për të nisur procedimin penal ndaj të akuzuarit Fatmir Mediu për 26 viktimat që u shkaktuan në Gërdec.
Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë çështjen në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë e nisi me vonesë rifillimin e gjykimit.
Më 7.11.2012 Kuvendi miratoi një amnisti të përgjithshme me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjykata e Lartë më 10.12.2012 vendosi pushimin e çështjes për shkak të amnistisë.
Në këto kushte mundësia e vetme për të siguruar mbrojtje për Durdaj dhe Hazizaj mbetet ankimi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilës ata iu drejtuan dhe një herë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





