POGRADEC, 28 maj 2013 – Kreu i PS-së, Edi Rama gjatë takimit elektoral në Pogradec u shpreh se vendi sot kërcënohet nga krimi duke akuzuar Ministrinë Brendshme për lidhje me kupolën e krimit. Rama premtoi se 300 ditët para të qeverisjes do të luftojë krimin. 

“Sot Shqipëria kërcënohet çdo ditë nga krimi. Krimi ka dalë rrugëve. Krimi bën ligjin dhe policia është tradhtuar dhe braktisur nga një kupolë atje në Ministrinë e Brendshme që është e lidhur me krimin. Për 300 ditë ne do të vendosim ligjin përballjen me forcën e ligjit, krimin dhe çdokënd që guxon të cenojë një shqiptar apo pronën e një shqiptari. Mjaft më me një histori të gjatë zvarritje dhe rrënimi. Kush prek një nga ne, një shqiptar të zakonshëm ka prekur shtetin dhe do të përballet me Policinë e Shtetit. Kush prek pronën e një familjeje ka prekur shtetin do përballet me policinë e shtetit dhe me ligjet e këtij shteti”, u shpreh Rama. 

Kryesocialisti Rama theksoi se më 23 qershor, zgjedhja është e qartë “rrënim i mëtejshëm ose një Rilindje Shqiptare”. 

“Zgjedhja në 23 Qershor është shumë e thjeshtë, do të votoni për ne që vijmë me autobus si të gjithë qytetarët apo do të votoni për kryeministrin që vjen me antiplumb për t’ju takuar. Do të votoni për ne që vijmë të shoqëruar nga këngëtarë e valltarë e nga vajza e djem apo për kryeministrin që vjen i shoqëruar nga 200 roje. Do të votoni për ne që mblidhemi bashkë me njerëz të lirë, me njerëz të papunë apo me njerëz që edhe pse e kanë një punë duan më shumë, meritojnë më shumë e prandaj janë këtu me vullnet të lirë apo për ata që i mbushin sheshet me robërit e pushtetit duke i kërcënuar rrogëtarët e shtetit me bukën e gojës:, u shreh Rama. 

Rama i bëri thirrje pogradecarëve por dhe shqiptarëve që më 23 qershor të marrin me vete në qendrat e votimit personat që nuk kanë votuar në zgjedhjet e shkuara me qëllim që Shqipëria ti rikthehet punës. 

“Unë do t’i thosha secilit prej jush që të shkojë drejt 23 qershorit me bindjen se atë ditë nuk duhet të shkojë i vetëm te kutia e votimit por duhet të marrë me vete edhe një tjetër që nuk ka votuar herën e shkuar. Një të ri në familje, një kushëri, një komshi, dikush që herën e shkuar nuk ka votuar dhe që sot vazhdon të jetë i lëkundur se çfarë të bëjë të rrijë në shtëpi apo të votojë. Tregojuni të gjithëve se kur një vend e sundon e keqja nuk është faji i të këqijve por është faji i të mirëve që nuk bëjnë asgjë dhe çdo njëri nga njerëzit e zakonshëm dhe të mirë të këtij vendi duhet të vijë bashkë me ju atje te kutia e votimit dhe sa hap e mbyll sytë duke vënë një kryq te numri 29, tek partia socialiste të vendosë ndryshimin në jetën e tij, të ulë taksat për 95% të shqiptarëve, të ulë kostot e prodhimit që fshati të prodhojë më shumë që qyteti të ushqehet me mirë dhe që çmimet mos tmerrojnë qytetarin shqiptar kur del në pazar. Që çdonjëri të marrë shërbim shëndetësor falas, që çdonjëri të mund të çoj fëmijën në shkollë, dhe që çdo i ri i talentuar të vazhdojë studimet edhe nëse familja nuk ka para. Që Shqipëria t’i kthehet punës, punës punës, që Shqipëria t’i japë fund përrallave, marrëzive, shpifjeve dhe sharjeve. Që Shqipëria të bëhet një qendër që ëndërronte edhe Lasgushi, vendi i ëndrrave të atyre që i dhanë jetë Rilindjes sonë kombëtare. Ata që i dhanë jetën për lirinë e këtij vendi, ata që u martirizuan në vite për votën e lirë, ata që u martirizuan në emigracion, të gjithë ata që kanë dashur, duan, një Shqipëri që ky popull meriton dhe që ne do ta ndërtojmë së bashku”, përfundoi Rama.