DURRES, 28 maj 2013- Mesfushori i Teutës, Albi Dosti, e ka marrë shumë seriozisht dhe kërkon me pa diskutim të jetë protagonist në sezonin e ri. E ndërsa durrsakët vijojnë me pushimet, mesfushori ka shfrytëzuar Kombëtaren për të ardhur në top-formë.

Në një prononcim për “Panorama Sport, ai shprehet optimist për sezonin e ri, të cilin durrsakët e nisin me dy ndeshjet e Ligës së Europës.

“Dua që këtë sezon të arrij nivelet më të larta për sa i përket aspektit personal, ndaj po punoj intensivisht dhe të vij në formën time më të mirë. Gjatë sezonit të fundit nuk është se kam luajtur rregullisht, kjo edhe për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, të cilët nuk më lejuan të isha në 100% të formës. Këtë sezon premtoj se do të bëj gjithçka të jetë e mundur, së pari për të siguruar një vend në formacion dhe së dyti për ta merituar plotësisht besimin e trajnerit Magani”, – u shpreh fillimisht Dosti.

Duke vijuar më tej prononcimin e tij, mesfushori u ndal tek aventura në Europë.

“Unë mendoj se duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë shans, duke bërë paraqitje të mirë në këtë kompeticion. Kemi një skuadër të denjë, e cila është shumë e etur për fitore dhe realisht shpresojmë te kualifikimi për në fazën tjetër. Megjithatë, fillimisht duhet të njohim kundërshtarin”,- shtoi fantazisti durrsak.

Momentalisht lojtari është duke u stërvitur me skuadrën kombëtare, pasi tekniku Xhani De Biazi ka kërkuar që ai t’i bashkohet grupit deri në momentin e grumbullimit të të gjithë lojtarëve që ka thirrur për ndeshjen me Norvegjinë, e cila do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Qemal Stafa”.

/l.m. Panorama/