DURRËS, 28 maj 2013– Kryeministri Sali Berisha është takuar sot në Durrës me përfaqësues të Shoqatës së Transporteve, për të cilët ka premtuar mbështetjen e qeverisë. 

Me marrjen e statusit të vendit kandidat siç tha Berisha, më shumë shanse do ketë edhe për transportuesit. Nisur nga kjo ai premtoi se vendi do bëjë gjithçka në këtë drejtim, duke filluar që nga procesi i zgjedhjeve, që sipas tij do jetë i shkëlqyer. 

“Ne do marrim statusin që siç e dini u bllokua për arsye personale si në asnjë vend të Europës. Ne jemi të vendosur të bëjmë zgjedhjet më të mira, të shkëlqyera që të meritojmë statusin, më pas do hapim negociatat për vend anëtar, do zbatojmë të gjitha detyrimet”, tha ai. 

Shefi i qeverisë bëri të ditur arritjet e shënuara nga ky sektor vetëm gjatë 6 viteve të fundit.

“Dua të informoj shqiptarët se nga 2006 në 2012 vetëm njëri prej sektorëve të punës suaj, ai i eksporteve është rritur nga 66 mld në 212 mld lekë në vitin 2012. Pra rreth 3 herë është rritur. Kjo rritje është akoma më e madhe në vëllim në ton, më të mëdha se eksportet janë importet, më të mëdha se to transporti i brendshëm. Qeveria do bëjë përpjekje për kushte më të mira, lëvizni në një rrjet rrugor të pakrahasueshëm me atë të pak viteve më parë. Sot shërbeheni në një port me shërbime e kushte të tjera. Lidhjet ndërkombëtare të Shqipërisë janë shumëfishuar. Rritja e vëllimeve të transportit janë për ju një sfidë e madhe, për ekonominë dhe vendin. Qeveria është e vendosur t’ju mbështesë brenda të gjitha mundësive, do bëjmë përpjekje për të lehtësuar barrën burokratike, ne kemi pasur negociata me vendet mike kur ju hasni vështirësi. Për 4 vitet që vijnë janë 4 vitet e zhvillimit më të pakrahasueshëm, fillojnë mbi një stacion të ri, vitet që do kemi statusin e vendit anëtar në BE, do hapen negociatat për integrimin e plotë në BE, ne jemi në prag të zhvillimeve të mëdha, të lëvizim sa më shpejt”, tha Berisha. 

Kryeministri iu përgjigj pozitivisht shqetësimit të transportuesve për çmimet që aplikohen në Doganën e Tiranës dhe nga tragetet.

“Dogana është partneritet publik-privat. Në këtë kontekst ai që e ndërton merr fitimin, por shteti mund të ndërhyjë, ka mënyra ku çmimi mund të jetë tjetër, shteti do ndërhyjë pa dëmtuar partnertin privat. Ato çmime do njohin një ulje të qartë”. 

Sipas transportuesve në portin e Durrësit aplikohen tarifa më të larta se në portin e Barit. 

“Unë do bisedoj me drejtuesit e portit të Durrësit të shqyrtojnë tarifat, por është ndërmarrje publike që do të garantojë mbijetesën, por ne do përpiqemi çfarë mund të bëjmë”, tha ai më tej. 

Një shqetësim tjetër ishte një taksë që Italia vendoste për transportuesit shqiptarë. Berisha premtoi heqjen e saj.

“Kemi bërë dhe do bëjmë gjithçka për të hequr taksën italiane. Problemi është se është një ligj i vjetër, që s’duhet të jetë. Çdo bashkëbisedues italian ka marrë përsipër heqjen e tij, nuk e meritojmë. Do merrem me këtë problem deri në heqjen e tij”, tha ai më tej. 

Gjatë bashkëbisedimit Berisha akuzoi kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako se ka aplikuar në këtë qytet taksat më të larta për biznesin e vogël. 

"Durrësi është qyteti ku biznesi i vogël ka taksat më të larta në të gjithë vendin. Këshilli Bashkiak i Durrësit ka çuar dosjen në Prokurori për kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjel Dako, pasi ai në kundërshtim me ligjin vendosi tarifat e taksat ndër më të lartat për biznesin".

Sipas Berishës, në çdo vend të lirë taksa është atribut i parlamentit qendror dhe për lokalet është atribut i parlamentit lokal. 

Duke folur për kreun e PS-së, Edi Rama, kryeministri Berisha tha se ai ndjek filozofinë e rritjes së taksave. 

"E shihni shokun Rama që vrapon poshtë e përpjetë e thotë se do të ulë taksat. Këta janë filozofia e rritjes së taksave. Këtu në Durrës për biznesin e vogël janë taksat më të larta që ekzistojnë, pra ajo që bën ai është një hile shumë e ligë, pasi ti duhet të tatosh mbi bazën e të ardhurave dhe xhirove". 

Në përfundim, duke e konsideruar jetik këtë sektor kryeministri tha se problemet e transportuesve ishin të karakterit burokratik, ndërsa premtoi zgjidhjen e tyre. 

“Në kërkeasat tuaja janë të gjitha probleme burokratike, e padrejtësisë që ju pengon në punën tuaj, vuani nga pabarazitë e pamerituara, janë probleme të zgjidhshme do jenë çështje të axhendës së qeverisë”, premtoi ai.