TIRANË, 28 maj 2013- Kryesocialisti ka mare pjesë sot në Forumin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, “Perspektiva ekonomike 2013 – 2017”, ku është shprehur se çdo krizë duhet të merret si një mundësi dhe një rrugëdalje e re.
“Kriza e vendeve fqinje ka ndikuar mbi Shqipërinë, qoftë nga ardhja e emigrantëve të cilët janë kthyer dhe nuk kanë gjetur kushtet e përshtatshme për punësim ose në formën e rënies së të ardhurave në vendet nga ata vijnë. Ky është një transformim që po pëson bota dhe ku ne duhet të integrohemi. Është një sfidë e madhe të riorganizosh mjedisin për të rimëkëmbur sipërmarrjen. Çdo krizë është një mundësi, një shanc dhe një rrugëdalje e re dhe ne duhet ta shohim si të tillë dhe besoj se do tja dalim. Do të jemi të detyruar të shohim përtej modelit ekonomik, të ndjekur deri më sot. Ky model nuk prodhon energji të reja dhe as stabilitet ekonomik dhe financiar”, u shpreh Rama.
“Ne jemi të detyruar të shohim përtej modelit të ndjekur deri më sot. Ky model ka shteruar. Nuk prodhon dot me as energji të reja, por as stabilitet ekonomik dhe financiar. Ne besojmë që një hapësirë e pashfrytëzuar është hapësira rurale e vendit. Një plan i mirëkonceptuar për një zhvillim modern rural, do të na jepte mundësinë që të ndërtonim një nga shtyllat e ekonomisë. Një ekonomi prodhuese është një tjetër shtyllë që ne duam të ndërtojmë për të mbështetur maksimalisht shtimin e investimeve dhe për ta shoqëruar këtë me kualifikimin e krahut të punës. Së treti, sigurisht që Shqipëria mund të bëjë shumë edhe në drejtim te shërbimeve. Turizmi mbetet një nga shërbimet kryesore, por një turizëm i konceptuar krejt ndryshe nga sa është konceptuar deri më sot”, tha më tej Rama.
Ndërkaq, lidhur me mënyrën me të cilën do të ndikojë PS në rritjen e ekonomisë, në planin afatmesëm, kreu opozitar deklaron:
“Ka dy anë kjo medalje. Njëra është si do të strukturojmë rrugëdaljen nga kriza e ekonomisë familjare shqiptare dhe rrugëdaljen nga kriza e ekonomisë kombëtare. Ne besojmë që ka një problematikë shumë më komplekse se sa ajo e sistemit fiskal, për të hapur rrugën e zhvillimit. Eshtë një problematikë që lidhet me shtetin, me mosfunksionimin e administratës, mosfunksionimin e sistemit gjyqësor, moszgjidhjen e çështjes së pronës, me moskualifikimin e krahut të punës dhe me mungesën, ndoshta kjo është e para për nga rëndësia, mungesën e lirisë së konkurrencës dhe ekzistencën e një nyjeje shumë shtrënguese për ekonominë që lidhet me klientelën e pushtetit. Mungesa e marrëdhënieve normale kontraktuale mes shtetit dhe sipërmarrjes, borxhet e mëdha të akumuluara për shkak të mungesës së seriozitetit nga shteti, përbëjnë një kompleksitetit që duhet adresuar me shumë forcë që në fillim, për të krijuar një marrëdhënie të re mes shtetit dhe sipërmarrjes”, deklaroi Rama.





