TIRANE, 23 maj 2013– Votimi i tre ligjeve dhe plotësimi i vendeve të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishin disa nga çështjet që kreu i LSI-së, Ilir Meta trajtoi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë.

Sipas tij, është koha që Kryeministri të tregojë gadishmërinë që në ditët që vijnë të votohen 3 ligjet.

“T`i japim mesazhin e përgjegjshmërisë qytetarëve tanë duke demonstruar pjekurinë e duhur politike dhe frymën e bashkëpunimit që kanë nevojë reformat e integrimit europian por edhe të modernizimit të shtetit tonë”, deklaroi Meta.

Ndërkohë që referuar përfaqësimit në KQZ, për Metën vendet vakante në institucion nuk janë vende punë.

“Çështja kryesore ka të bëjë me integritetin e KQZ-së që është cënuar në mënyrë të padrejtë nga mazhoranca aktuale, dhe çëshjta nuk është që të çohen 3 vende por të vendoset konsensusi dhe besimi te KQZ-ja. Prandaj i takon mazhorancës të tregojë reflektim dhe përgjegjshmëri në këtë drejtim ndërkohë që opozita ka shprehur bindjen e plotë në administrimin e këtij procesi duke menduar në instrumenta shtesë në kontest me mangësitë që ka treguar KQZ-ja pas dëmtimit të rëndë që ai mori në pavarësinë edhe integritetin pas largimit të dhunshëm të një anëtari” vlerësoi kreu i LSI.