Topi fton demokratët: "Votoni të djathtën e vërtetë! Me PD na ndan morali politik"

DURRES, 23 maj 2013– Kreu i FRD-së Bamir Topi ka sulmuar nga Durrësi kryeparlamentaren Topalli dhe kryeministrin Berisha, duke ftuar demokratët të votojnë të djathtën e vërtetë për t’u shkëputur njëherë e mirë nga tranzicioni i vështirë dhe i mërzitshëm shqiptar.Ai e vlerësoi forcën politike që drejton si zërin e tretë dhe real në parlamentin e ardhshëm.

“Dy partitë e vjetra të tranzicionit na kanë ofruar një parlament inekzistent, dy parti që nuk e gjetën asnjëherë gjuhën. Sot, kemi një parlament jofunksional, një parlament që diktohet nga ekzekutivi dhe jo nga të zgjedhurit e sovranit. Sot, kemi në krye të parlamentit një individ që e ka kthyer atë në një mjedis të vulgaritetit. Kemi një parlament që sot i prodhon të gjitha institucionet me 71 vota, një parlament që po përfundon me një mazhorancë me 4 deputetë të Partisë Socialiste.

Sot shqiptarët kanë një kryeministër që nuk kupton dhe as pranon rotacionin politik, gur themeli në demokraci. Politika nuk duhet t’i ngjajë kënetës me ujë që rri në një vend. Nuk duhet të përjetojmë më atë që përjetuam në sistemin komunist.”

Fryma e Re Demokratike ka prezantuar kandidatët për deputetë të qarkut Durrës duke shënuar dhe hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare 2013. Në krye të listës së kandidatëve është deputeti Gazmend Oketa, të cilin Topi e ka vlerësuar një kapiten të mrekullueshëm të ekipit që do të mundësojë fitoren e të paktën dy mandateve në Kuvendin e ardhshëm.

"Oketa është zëri më i moderuar në parlamentin shqiptar, z. Sami Gjergji, ish-deputet e njeri me karakter, biznesmen që pavarësisht problemeve me pushtetin inkuizitor që ia ka bërë jetën të vështirë vetëm pse është me FRD-në."

Duke e konsideruar qarkun e Durrësit një qark të madh dhe shumë të rëndësishëm me përfaqësues të denjë të qytetarisë së vjetër e të re, kreu i FRD-së Bamir Topi ngriti mjaft pikëpyetje për zaptimin e posteve drejtuese, veçanërisht mbi drejtimin e portit më të madh të vendit:

"Durrësi ka portin më të madh të Shqipërisë dhe në krye të tij qëndron i njëjti person prej vitesh. A ka njerëz të tjerë ky qytet?!“ Ai denoncoi më tej apatinë e institucionit të arkeologjisë, kaosin e frikshëm urban, dëmin e pallogaritshëm ekologjik me zhveshjen e kodrave dhe mosadministrimin e zonave rurale me traditë në bujqësi dhe agroindustri që „po mbillen ngado me shtëpi."

FRD ka një program specific për qarkun e Durrësit, i ndërtuar nga specialistët.

Topi tha se bipolarizmi i prodhuar nga dy individë që s’mendojnë më shumë se karrigen e tyre nuk është më i pranueshëm. „Parlamenti ka nevojë për një zë të tretë. Ne do të shkojmë para kutive të votimit për të menduar për ekonominë atë të vendit dhe mbi të gjitha atë familjare, që lidhet me edukimin, shëndetin e argëtimin.

Ata që dalin nëpër tribuna e nuk japin llogari për situatën në vend, që e ka rritur borxhin publik në 65%. Brenda taksave të qytetarëve shqiptarë ekziston një korrupsion i paparë dhe dëshmon për shpenzime të reja në blerjen e votës dhe humbjen e lidhjes me qytetarët e thjeshtë, të përndjekurit dhe pronarët.

23 qershori, data në të cilën duhet të reflektojmë të gjithë.

Më tej, Topi sqaroi mospërfshirjen në koalicionet parazgjedhore:

“FRD është një formacion politik qartazi i qendrës së djathtë. Kur u shtrua oferta e një koalicioni parazgjedhor ne i qëndruam vokacionit popullor duke respektuar frymën demokratike të formacionit tonë politik. FRD është shtëpia e vërtetë e demokratëve shqiptarë. Ne jemi të djathtë dhe s’mund të bëjmë koalicion me të majtët, ndërsa me të djathtët në pushtet na ndan morali politik.

Me FRD e djathta jo vetëm do të riformatohet, po do të marrë vlerat e saj. Një parti e vlerave të qytetarit dhe misionare e etikës së komunikimit dhe vendosjen e interesave të qytetarit mbi ato të individit.”

/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/