DURRËS, 24 maj 2013– Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me banorët e komunës Rrashbull në Durrës.
Kreu i PS-së, u premtoi sot banorëve të kësaj zone, ashtu sikundër mijëra e mijëra shqiptarëve që kanë ndërtuar pa leje, legalizim të shpejtë, duke theksuar se Sali Berisha i ka mbajtur me mashtrime për 20 vite.
“Kemi një problem themelor, që mbetet një nyje pa zgjidhjen e së cilës nuk shkojmë para. Problemi i pronës. Se keni dhe një Republikan këtu. Këta demokrat dhe republikan, 20 vjet duke marrë votat e pronarëve dhe duke thënë ne jemi ata që zgjidhim problemin e pronave. Ndërtoni pa leje se ne i legalizojmë ndërtimet tuaja. 20 vjet duke i thënë fshatarëve, vijoni punoni se ju japin certifikatën e pronës. Sot pas 20 vjetësh dhe 8 vjetësh në qeveri. Pronarët nuk kanë të drejtë prone, dhe një copë letre që e bën pronën pasuri të patundshme apo ua njeh tokën. Deri tani me fjalë se veprat i bëjmë kur të jeni në qeveri. Ne do të zgjidhim çështjen e pronës. Do të bëjmë transparencë për të gjithë atë grabitje të madhe që i është bërë pronave të përbashkëta dhe pronave private. Brenda 4 viteve certifikatën e tokës tënde do ta jap unë. Ne do japim certifikatën e tokës për të gjithë ata që kanë 20 vjet që rropaten me një copë tokë. Legalizimit do i mbyllim sic na takon dhe sic ju takon atyre që kanë ndërtuar një shtëpi për të ndërtuar ëndrrën e një familje në kushtet normale. Këto cështje janë angazhimet tona dhe do i ndjekim. Jo si këta se sa fillojnë zgjedhjet bëjnë fushata me legalizimet. Turren me letër me dorë dhe thotë se ka legalizime, si ai që shtone kam dushk dhe shkozë…”, tha Rama.
Ai sulmoi deklaratat e kryeministrit Berisha në takimet dhe mitingjet e tij elektorale, i cili përdor si kartë të tij, arritjet e Shqipërisë në NATO apo përpjekjet për integrimin në Bashkimin Evropian.
Sipas Ramës integrimi Evropian nuk është të ikim nga Shqipëria por të ndërtojmë Evropën në Shqipëri. Ai zhvilloi një bashkëbisedim të improvizuar në një lëndinë të gjelbërt, më fshatarë të kësaj zone ku prezantoi dy kandidatët për deputetë, Ilir Beqja dhe Shkëlqim Troplini.
“Sot kemi fatin që këtë kënd fjale në fshat mund ta transmetojmë edhe drejtpërdrejt, për të folur për problemet e fshatit. Ndërkohë, jam shumë i kënaqur që këtë në Rrashbull kemi dy deputetë, Ilir Beqen, i cii është një nga autorit kryesorë të programit tonë të Rilindjes, posaçërisht i fokusuar në problemet e fshatit dhe djalin, mikun shokun, vëllain, komshiun, bashkëfshatarin bashkëqytetarin…, Shkëlqim Troplini për të cilin kemi respekt të veçantë si djalë me integritet dhe seriozitet dhe përkushtim të madh ndaj kësaj zone”, u shpreh Rama.





