TIRANË 24 maj 2013- Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilloi një takim me grupin e përfaqësuesve të OSBE/ODIHR, të kryesuar nga ekspertja amerikane Conny McCormak.

Pas takimit, kryetari i FRD-së ritheksoi krizën në KQZ duke e cilësuar moszgjidhjen e saj një prelud të keq për ecurinë zgjedhore, ndërsa shprehu shqetësim edhe për manipulimet e mundshme.

“Funksionimi i cunguar i KQZ-së vë në dyshim mbrojtjen e  interesave të qytetarëve që nuk përfaqësohen në pushtet,” tha Topi.

Gjithsesi kryetari i FRD-së është i bindur se “askush nuk mund të ndalë fluksin e qytetarëve në tendencën e tyre natyrale drejt një fitoreje të FRD-së”.

Duke përmendur 50 mijë njerëz të dubluar dhe 200 mijë të tjerë pa adresa, Topi e quajti të pakuptimtë vendimin e partive parlamentare për të miratuar të hënën tre ligjet, “ndërkohë që nuk e shfrytëzojnë këtë seancë plenare edhe për zgjidhjen e çështjes së KQZ-së”.