– Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit mbi administrimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të Bazës së të Dhënave të Ligjeve për të Drejtat e Njeriut
TIRANË, 24 maj 2013 –Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi e zhvendos fushatën elektorale në zyrat e qeverisë:
“Sistemi gjyqësor nuk mund të përdoret për kreditë politike. As duke sharë, fyer dhe dhunuar integritetin e gjyqtarëve”.
Nr. 1 i listës së PD-së në qarkun e Durrësit iu kundërpërgjigj kështu akuzave të opozitës për sistemin e drejtësisë.
Më 24 maj 2013 në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mbi administrimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të Bazës së të Dhënave të Ligjeve për të Drejtat e Njeriut të Projektit të Ballkanit Perëndimor, të realizuara nga Qendra AIRE në Londër dhe Qendra Evropiane në Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Zyrën e Avokatit të Shtetit, Shkollën e Magjistraturës dhe Unionin e Gjyqtarëve në Shqipëri, si një nisme ne funksion te njohjes dhe zbatimit te vendimeve te GJEDNJ.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e konsideroi këtë projekt shumë të rëndësishëm për reformën në drejtësi me synim “rritjen e aksesit dhe forcimin e profesionalizmit të gjyqtarëve të vendit”.
Projekti synon krijimin një portali elektronik me të gjitha vendimet e GJEDNJ, për çështje që shqetësojnë Shqipërinë por dhe Ballkanin perëndimor.
“Ne kemi digjitalizuar sistemet, i kemi bërë transparente në gjithë procesin gjyqësor, të bindur se transparenca rrit përgjegjshmërinë, rrit monitorimin dhe ndëshkon devijuesit. Por ka një moment që është më i rëndësishmi që ne duhet të bëjmë akoma më shumë, momenti i marrjes së vendimit. Qytetarëve u intereson që vendimi final të jetë ai i drejti, i duhuri, i pranueshmi. Shumë shpejt çdo gjyqtar i këtij vendi, çdo avokat, student, do të ketë në një portal të gjitha vendimet e kësaj gjykate, për çështje që shqetësojnë Shqipërinë por dhe Ballkanin Perëndimor, të gjitha në gjuhën shqipe, të gjitha në format elektronik”, thekson Halimi.
Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për sistemin e drejtësisë, kandidati i PD-së deklaron: “Sistemi gjyqësor nuk mund të përdoret për kreditë politike. As duke sharë, fyer dhe dhunuar integritetin e gjyqtarëve”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





