DURRËS, 24 maj 2013– Do të hapim 250 mijë vende pune të reja, është ky zotimi më i fundit i deputeti aktual, njëherësh ministri i Drejtësisë Eduart Halimi.

Në një takim me banorët e Fushë-Krujës, Halimi, që kryeson listën e partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, duke prezantuar kandidatin për deputet Vullnet Topallin, tha se zotimi i tretë qeverisës i Partisë Demokratike do të ketë në qendër qytetarin dhe hapjen e 250 mijë vendeve të punës.

Duke iu referuar kandidatit për deputet Vullnet Topalli, Halimi tha se ai do të jetë një përfaqësues që do të kontribuojë në zbatimin e politikave të qeverisë në ofrimin e mundësive të punësimit për të rinjtë.

Gjatë fjalës së tij, kandidati Vullnet Topalli, deklaroi se të rinjtë do të jenë pararoja për zhvillimin e Shqipërisë dhe se shqiptarët do të votojnë alternativën e djathtë si të vetmen rrugë për zhvillimin e vendit.

Duke vlerësuar mikpritjen dhe entuziasmin e mbështetësve  të partisë Demokratike në Fushë-Krujë, Topalli u shpreh i bindur në fitoren e mandatit të tetë për partinë Demokratike në Qarkun e Durrësit, duke shtuar se do të jetë një përfaqësues i palodhur i problemeve të qytetarëve të Fushë-Krujës.

Gjatë këtij takimi nuk la pa përmendur dhe bllokimin e procesit të integrimit, si pasojë e mos-votimit të tre ligjeve nga ana e partisë Socialiste.

Deputeti Eduart Halimi theksoi se për shkak të këtij bllokimi, Shqipëria ka humbur mbi 1.5 miliard euro dhe se është pikërisht  kjo arsyeja që do të çojë Edi Ramën dhe partinë Socialistë në humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Qarku i Durrësit përfaqësohet në Kuvend më 13 deputetë dhe partia Demokratike synon të fitojë tetë prej tyre, një më shumë se sa aktualisht.

/e.a. Agjencia e aljmeve "Dyrrah"/