TIRANË, 25 maj 2013- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me banorët e Paskuqanit, të cilët sic tha ai jetojnë në zonën më të izoluar të kryeqytetit, të harruar nga shteti. 

“Paskuqani është zona më e izoluar e Tiranës, vetëm pak minuta larg një rrrugë kryesore dhe të duket sikur është dhjetëra vite larg, se koha ka mbetur po aty për sa i takon shtetit që kurrë ndonjëherë nuk është shfaqur në këtë zonë që pas shembjes së regjmit komunist”, tha ai. 

“Erdhët këtu për një jetë më të mirë, donin të lindnin dhe rritnin fëmijët në kryeqytet, jo në një hapsirë ku mungon gjithcka”, shtoi ai. 

Duke u ndalur tek një problem serioz për këta banorë, sic është ai i legalizimit të banesave të tyre, Rama i kërkoi të mos votojnë më qeverinë që si mbajti premtimet vetëm për hir të origjinës, për tifozllëk, por të votojnë për veten e tyre. Sipas Ramës, Berisha nuk ua legalizon banesat të ardhurve nga veriu, sepse mendon se i ka në xhep, Kjo situatë, sic shtoi Rama, duhet të ndryshojë. 

“Më 23 qershor të mos i japin më oksigjen me votën e tyre këtij pushteti familjar që nuk përfaqëson interesat e të papunëve, të sëmurëve, infermierëve, mësuesve por të një grushti njerëzish që e mbajnë Shqipërinë peng prej 4 vitesh me vota të vjedhura. Ai duhet të jepte përgjigje për të ardhurit, sidomos ata nga veriu që e kanë besuar për 20 vjet. Nuk e di pse vazhdojnë ta besojnë. C’lidhje ka origjina juaj me votën, ai ju lë nga fryn veriu për të mos u ngrohur dot kurrë. Ju erdhët këtu sic zbritën katragjyshërit e mij nga Mirdita, shkuan në Himarë, c’lidhje ka origjina. Nuk mund të vazhdojë kështu, të jepni vota qorre e tifozlliku. Po të shkojë ai në greminë shkoj dhe unë, kjo primitivizëm”, shtoi Rama. 

Duke iu drejtuar sërish këtyre banorëve, Rama tha se ata duhet të votojnë për veten, për atë që i premton ndryshim. 

“Duhet të vlerësosh alternativat që ke, të takon të vlerësosh, por qeverinë gjykoje nga veprat, opozitën nga fjalët, sepse duhet ta vesh në provë që të japë fakte, ta shoh 4 vite, po e bëri të vazhdojë, po se bëri të ikë. Ndaj nuk ua legalizon shtëpitë ai ju, se mendon që ju ka në xhep. Para fushatës ju vijnë në shtëpi ca dallkaukë me metër në dorë. Kishin 8 vjet kohë për të legalizuar, pse nuk i bënë? Kanë legalizuar vetëm 8%. Ju duhet ta prisni 165 vjet Saliun për të legalizuar banesat tuaja meqë jeni nga veriu. Votoni për atë që do arrini”, shtoi ai. 

Me procesin e legalizimeve zgjidhet edhe problemi i pronave tha më tej kryesocialisti. “Procesi i legalizimit është pjesë e zgjidhjes së problemit të pronave. Pronarët janë sot me sy nga qielli, japin votën njësoj si ju, ndërkohë që pronarët dalin ministrat. Kanë jetuar në Alpe por pronat i kanë në det, pronarët jo, fshatarët s’kanë çertifikata, ju keni shtëpinë po s’keni legalizim”.

“Shtëpitë tuaja nuk i prish dot as Enver Hoxha po të ngjallet, por problemi është se me anë të atij dokumenti t’i zotëron një pronë dhe me atë shkon në bankë e merr kredi për të investuar për jetën tënde”, shkoi Rama më tej. 

Më tej Rama premtoi se, sapo të marrë votëbesimin e qytetarëve do nisë procesin e legalizimeve, për të mos vazhduar më talljet me banorët, sic janë bërë në 20 vjet, tha ai. 

“Saliu ka 20 vjet që ju tall dhe ju keqtrajton me rrenat më të mëdha të botës se mendon që ju ka në xhep, sic mendon se i ka në xhep të përmbyturit e Shkodrës, si ata që s’marrin dot ndihma kur pësojë fatkeqësi, ata që për hir të së vërtetës meqë kanë pasur gjyshin ballist janë me Saliun, ky është kulmi. Saliu po të vijë këtu do ju premtojë autostradë, jo ura që ju s’keni. Menjëherë sa të marrim votat do fillojmë procesin e legalizimeve për së mbari. Do ju zotohem të gjithë atyre që kanë shtëpi për të legalizuar se do jem unë në krye të këtij procesi. Dhe nëse këtu do jemi pas 4 vitesh dhe gjendja do jetë po kjo, ju që jeni socialistë nuk duhet të jepni votën e të thoni t’ja japim këtij se është i joni, vota është investim. Më 23 qershor mos votoni si tifozë por si qytetarë”, shtoi Rama. 
 

"Këtu s'do jetë Zvicër, por do ketë shtet", shtoi ai më tej.

Duke u ndalur tek punësimi, Rama tha se duhet investuar tek kualifikimi i krahut të punës dhe rritja e shkollave profesionale. 

“Sot nuk ka politikë për punësimin real, ka propaganda. Është vetëm rruga e punësimit në shtet me teserën e partisë në xhep por edhe me lekë në dorë për tu bërë mësues e polic. Ne duam të hapim një perspektivë të re për shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme. Zanatet janë rruga dhe perspektiva për tu dhënë të rinjve punë, Juristë kemi me okë po elektricistë nuk kemi. Këto janë vende pune të mungura. Kualifikimi i krahut të punës është një nga sfidat tona, që t’i japim njerzve mundësi të gjejnë punë”.